Telegrafi

FMN: Rritja ekonomike 2 %, qeveria menaxhoi me sukses krizën

Përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri, Gervin Bell, duke vlerësuar qeverinë për përballimin e pasojave të krizës ekonomike globale, deklaroi se pavarësisht një viti të vështirë, Shqipëria mundi t’ja dalë me sukses duke rregjistruar një rritje ekonomike pozitive, në rreth 2 përqind.

"Duke marë në konsideratë aktivitetin e lartë ekonomik në gjysmën e parë të 2009 dhe një zbutje gjatë pjesës së dytë të vitit, parashikojmë që rritja ekonomike për vitin 2009 do të jetë rreth 2 përqind, dhe 3 për qind për 2010-ën.

Në një vit të një krize globale ekonomike Shqipëria ja ka dalë me sukses, pse ka ndodhur kjo? Politikat e shëndosha makroekonomike të ndërmarra këto vite, kanë ndihmuar qeverinë në konsolidimin e fortë fiskal.

Pjesën e mbetur të vitit presim që performanca ekonomike të jetë pak më e zbutur se gjysma e parë, pjesërisht se stimuli fiskal më të drejtë do të ulet, por e rëndësishme është që Shqipëria do të rregjistrojë rritje ekonomike si pak vende të Europës.

Ministri i Financave Bode është pajtuar me vlerësimin e FMN–së, por u është përgjigjur me një batutë luhatjeve të FMN–së në parashikimet për rritjen ekonomike të këtij viti.

“Thanë më pak se 1 përqind, tani thonë dy dhe vitin tjetër 3 përqind, do shkojnë 6 sa çkemi planifikuar.”

Përfaqësuesi i FMN-së vlerësoi stimujt fiskalë që qeveria injektoi në ekonominë vendase çka mundësuan një performancë pozitive, sidomos investimet publike që këtë vit shkuan në nivelin e 10 përqind të prodhimit të brendshëm bruto.

Dekalaratat u bënë gjatë një konference të përbashkët të FMN-së, Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë në lidhje me fillimin e diskutimeve për buxhetin e vitit 2010.

Përfaqësuesi i FMN kërkoi që buxheti për vitin 2010 të mund të materializojë nivelet e kërkuara të parametrave makroekonomike, si uljen e defiçitit dhe të borxhit publik.

Buxheti i vitit të ardhshëm sipas ministrit Bode rezervon mbajtjen e fondeve të kontigjencës në nivelin 2 përqind të produktit të brendshëm, një fond rezervë për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë, po ashtu ministri garantoi uljen e defiçitit buxhetor duke synuar nivelin 3 përqind nga 6,5 të këtij viti. /klan/