Telegrafi

FMN: Qeveria pa prioritete të qarta, reforma në TVSH jo e duhur

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Frank Lakwijk ka thënë se reformat që Qeveria e Kosovës ka bërë mbi TVSH-në janë të diskutueshme. Kjo për faktin se buxheti i vitit 2015 është i pa balancuar, dhe përveç shtresave e varfra nga reforma do të përfitojnë edhe shtresa e pasur, gjë që do ta dëmtoj edhe më tutje buxhetin, në këtë kohë kur ka nevojë për më shumë të hyra.

Sipas Lakwijk, Kosova dhe FMN mund të fillojnë negociatat për një marrëveshje të re që nga java e ardhshme në Uashington. Ndërsa,ai ka folur edhe për kamatat që lëshohen nga bankat komerciale në Kosovë, për të cilat ka thënë se BQK-ja nuk mund të ndërhyjnë uljen e tyre. Këto ai i bëri të ditura të hënën mbrëma në emisionin “Ekonomia me Erëzën” në Klan Kosova. Politika për reformat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarr për disa nga produktet bazë që të kenë TVSH më të ulët e disa më të lartë, është vlerësuar hap jo shumë i qëlluar nga përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë, Frank Lakwijk.

Ai ka thënë se kjo politikë mund të ndihmoj një shtresë të caktuar të popullsisë, por nuk sjell dobi për buxhetin e shtetit dhe njëkohësisht mund të konsiderohet si humbje parash, duke konsideruar se asistenca sociale do të siguronte mbështetje më të drejtpërdrejtë për njerëzit në nevojë.

“Kosova ka disa programe të asistencës sociale në zbatim, ku qeveria mund të kishte marrë këtë parasysh dhe të siguronte mbështetje më të drejtpërdrejtë për njerëzit në nevojë. Kur merret veprimi i tillë që ka marrë qeveria, ku ulet norma e TVSH-së për disa produkte bazë, sigurisht që njerëzit që janë në nevojë do të përfitojnë nga kjo, por në të vërtetë të gjithë i blejnë ato produkte, kështu që edhe njerëzit të cilët në të vërtetë mund të mos jenë në nevojë për lehtësira taksash do të përfitojnë prej saj”, ka shtuar Lakwijk.

Lakwijk ka thënë se buxheti i vitit 2015 do të ketë probleme të mbuloj të gjitha shpenzimet e parapara. “Vërtetë ka mungesë parash në buxhet. Të hyrat këtë vit me gjasë do të jenë shumë më të ulëta se që shpresohej, që do të thotë se do të jetë vështirë që të paguhen të gjitha shpenzimet që janë paraparë në buxhet” ka shprehur shqetësimin Lakwijk. Ai ka thënë se FMN-ja është e interesuar të ndihmoj Kosovën, mirëpo në plan programin aktual të Qeverisë së Kosovës, mungojnë prioritet.

“Programi i Qeverisë është gjithëpërfshirës, dhe në të njëjtën kohë, kur është aq gjithëpërfshirëse dhe i përgjithshëm, është paksa e vështirë që të shohim se çfarë është ajo që qeveria dëshiron të bëjë së pari dhe çfarë është ajo që dëshiron të bëjë së dyti. Nuk ka kornizë kohore por, në një masë të caktuar, kjo do të bëhet e qartë në praktikë meqë qeveria do të fillojë t’i vë në zbatim disa elemente dhe do të bëhet e qartë se cilat janë prioritetet”është shprehur Lakwij. Duke folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe FMN-së, Lawjik ka bërë të ditur se misioni i fundit që e ka vizituar ka vëzhguar për së afërmi gjendjen e ekonomisë së shtetit të Kosovës.

“Një herë në vit një mision nga Uashingtoni viziton Kosovën dhe i shqyrton të gjitha aspektet e ekonomisë. Misioni shikon rritjen ekonomike, papunësinë, inflacionin, shikon bankat, buxhetin, bilancin e pagesave, pra shikon të gjitha aspektet kryesore të ekonomisë dhe i tillë ishte misioni që sapo kishim, dhe në çdo vend anëtar të FMN-së ka misione të tilla. Pra, kjo është situata ne të cilën jemi tani.” ka theksuar Lawjik.

Tutje, Lawjik ka folur për një marrëveshje të mundshme ndërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Qeverisë së Kosovës, duke thënë se nëse Kosova është e interesuar, FMN do të jetë e gatshme për një gjë të tillë. Lakwij ka thënë se javën e ardhshme do të mbahet një mbledhje në Uashington, ku atje do të marr pjesë edhe Ministri i Financave nga Qeveria e Kosovës. I pyetur për kamatat për kredi që i lëshojnë bankat komerciale në Kosovë, dhe ndikimin e BQK-së mbi to, Lawjik ka thënë se Banka Qendrore e Kosovës nuk mund të ndikoj në sektorin privat bankar.

“Pra çmimet, sikurse edhe normat e kamatës, përcaktohen nga tregu. Tani, janë disa gjëra që mund të bëhen tërthorazi dhe banka qendrore është duke i bërë ato. Banka qendrore po siguron se ka konkurrencë të mjaftueshme në treg. Por, BQK-ja nuk duhet, nuk mundet dhe nuk do të ndërhyjë drejtpërdrejti në funksionimin e sektorit privat” është shprehur ai. Ndryshe, Kosova është vendi i fundit që është anëtarësuar në këtë organizatë financiare nga Ballkani, në maj të vitit 2009. Pas Shqipërisë që është anëtarësua në vitin 1991, Maqedonisë, Kroacisë e Serisë që janë anëtarësuar në vitin 1992. Vendi i parafundit që është anëtarësuar nga Ballkani në FMN është Mali i Zi në vitin 2007. /Telegrafi/