Site icon Telegrafi

FMN parasheh konsolidim fiskal dhe ulje të deficitit buxhetor në Maqedoni

Formimi i qeverisë së re paraqet pikë të rëndësishme kthyese dhe mundësi për ringjallje të sërishme të reformave dhe vendosje të politikave makroekonomike në baza të shëndosha. Kjo është konstatuar nga Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar pas përfundimit të konsultimeve të rregullta vjetore me Maqedoninë në kuadër të raportit Neni 4, të cilin FMN-ja e publikoi gjatë ditës së sotme.

Si rezultat i efekteve të krizës politike, Fondi Monetar Ndërkombëtar projekton rritje të ekonomisë së Maqedonisë prej 1,9 për qind për sivjet, ndërsa për vitin e ardhshëm pritet intensifikim i rritjes në 3,2 për qind. Projeksioni i shkallës së inflacionit sivjet është se ai do të rritet në nivel të lartë prej 1,2 për qind.

Deficiti buxhetor i projektuar për vitin 2017 arrin rreth 3 për qind të BPV-së. Përveç kësaj, Bordi ekzekutiv i FMN-së e thekson nevojën për konsolidimin fiskal, duke e pasur parasysh rritjen e shpejtë të borxhit publik në të kaluarën dhe nevojat e larta të financimit.

Bordi e përshëndet qëllimin e Qeverisë për reduktim gradual të deficitit buxhetor në dy përqind të BPV-së në periudhën afatmesme. FMN-ja gjithashtu e mbështet planin e Qeverisë për përforcimin e menaxhimit të financave publike dhe rritjen e transparencën fiskale.

Plani i Qeverisë për mbështetje të punësimeve dhe përfshirjen sociale vlerësohet pozitivisht nga Fondi dhe është në kuadër të rekomandimeve për intensifikimin e reformave strukturore që synojnë rritjen e punësimit dhe produktivitetit.

Me qëllim të ruajtjes së konkurrencës dhe qëndrueshmërinë fiskale, Bordi ekzekutiv e thekson nevojën që rritja e pagave të monitorojë produktivitetin. Gjithashtu, në kushtet e plakjes së popullsisë, vërehet rëndësia e rritjes së shkallës së aktivitetit, si dhe të masave aktive në tregun e punës.

Bordi ekzekutiv i Fondit rekomandon përmirësime të mëtejshme në menaxhim dhe administratën publike, logjistikë për tregti dhe shkathtësi në mënyrë që të tërheqë investime më të larta të drejtpërdrejta të huaja./Telegrafi/

Exit mobile version