Fondi Monetar Ndërkombëtar ka konstatuar se ekonomia e Kosovës është goditur rëndë nga pandemia, dhe me gjithë politikat fiskale dhe financiare për zbutjen e ndikimit të tronditjes tek amvisëritë dhe firmat, mungesa e konsensusit politik deri më tani ka pamundësuar një reagim me të fuqishëm ndaj situatës.
Gjatë një takimi virtual me ministren e Financave Hykmete Bajrami, zyrtari i FMN-së Gabriel Di Bella e ka quajtur të rëndësishme që Kosova të vazhdojë të zbusë humbjet e shkaktuara për amvisëritë dhe firmat përmes masave të dizajnuara mirë dhe transparente.
Ai po ashtu ka kërkuar që politikat financiare të zbusin ndikimin në të ardhura pa rrezikuar stabilitetin e sektorit bankar, dhe të vazhdojë të adresojë sfidat strukturore që kanë të bëjnë me rritjen e produktivitetit në ekonomi.
“Rritja e dukshme e infeksioneve në periudhën korrik-gusht e detyroi Qeverinë e Kosovës të ngadalësojë rihapjen dhe të rivendosë masat e pjesshme të mbylljes, duke ngadalësuar rikthimin e ekonomisë në gjendjen paraprake. Politikat afatshkurtra duhet të sigurojnë që sistemi shëndetësor do të mund të përballojë në mënyrë efektive kërkesën jashtëzakonisht të lartë për shërbime”, potencon FMN.
Ndërsa, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, theksoi se rregullat fiskale të dizajnuara në bashkëpunim me FMN kanë ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit makrofiskal edhe gjatë periudhës së vështirë me pandemi.
Në këtë kuadër, ajo potencoi se janë të përkushtuar që sektorit të shëndetësisë t’i sigurojnë mjetet e nevojshme për t’u përballur me pandeminë, si dhe të mbështesin grupet më të ndjeshme të shoqërisë, përfshirë edhe sektorin privat me qëllim të ruajtjes së vendeve të punës.
Po ashtu, Bajrami shprehu përkushtimin për hartimin e një plani afatmesëm për rikthim gradual të rregullave fiskale të përcaktuara me ligj, përgjatë periudhës së rimëkëmbjes ekonomike si prioritet kyç i Qeverisë së Kosovës.