Lufta tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës përbën rrezikun më të madh për stabilitetin botëror dhe mesa duket stabilizimi fiskal është i nevojshëm për t’iu përgjigjur goditjeve ekonomike në Evropë.
Kështu u shpreh drejtori i Zyrës së FMN-së, David Lipton, gjatë një konference në Lisbonë.
“Natyrisht, kjo nuk është çështje vetëm për Evropën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu duhet të venë në rregull anën e tyre fiskale. Tensionet tregtare SHBA-Kinë përbëjnë rrezikun më të madh për stabilitetin botëror”, tha Lipton, përcjell Telegrafi.
Mosmarrëveshja tregtare, e cila filloi rreth tetë muaj më parë, ka ndikuar në rrjedhën e miliarda dollarëve të mallrave midis ekonomive më të mëdha në botë.
Ai tha se besonte se kapaciteti i stabilizimit fiskal duhet të jetë në qendër të reduktimit të rrezikut në Evropë, duke e përshkruar atë si vendimtar për t’iu përgjigjur goditjeve makroekonomike dhe për të përmirësuar kombinimin e politikës fiskale-monetare.
“Në mungesën e saj, Eurozona do të mbetet e mbingarkuar nga politika monetare për stabilizim dhe shumë prej barrës së reagimit ndaj krizës do të rëndojë mbi vendet individuale, me aftësinë e tyre për të reaguar në varësi të hapësirës fiskale të secilit vend”, tha ai.
Lipton shtoi se planifikimi i Britanisë për të dalë nga Bashkimi Evropian po ngjallte pasiguri në Evropë dhe më gjerë dhe për sa i përket ngadalësimit ekonomik të Evropës, ai tha se çdo shtet anëtar i BE-së duhet të forcojë mbrojtjen e tyre përpara një rënie të mundshme.
“Një recesion serioz mund të jetë shumë i dëmshëm për këto vende, sepse ata do të tregojnë që janë të keq përgatitur. Dobësitë e tyre mund të paraqesin një pengesë serioze për qëllimin e Evropës për konvergjencën e standardeve të jetesës, produktivitetit dhe mirëqenies kombëtare”, përfundoi Lipton. /Telegrafi/