Telegrafi

FMN kundër investimeve në Kosovë

Kjo pasi në të gjitha vendet e rajonit Tatimi në Fitim dhe në të Ardhura Personale, është më i ulët se në Kosovë dhe paraqiten më atraktive se Kosova.

Komuniteti i biznesit në Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca Kosovare e Biznesit, Oda Ekonomike Amerikane dhe ekspertë e ekonomisë janë duke kërkuar që Tatimi në Fitim apo siç quhet ndryshe, Tatimi në Korporata të bëhet vetëm 10% për qind nga 20% sa është tani, dhe jo 15% sa kërkon FMN-ja.

“Zvogëlimi i normës së tatimi në 15% do ta bënte më konkurrues normën e tatimit krahasuar me rajonin”, thuhet në raportin e FMN-së.

FMN-ja ka rekomanduar që në këtë kohë të mos ndryshohen normat e Tatimit në të Ardhura Personale, norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) si dhe pragu i regjistrimeve.

Por kjo është kritikuar ashpër nga Safet Gërxhaliu, zyrtar për marrëdhënie ndërkombëtare në Odën Ekonomike të Kosovës.

"Qeveritarët tanë duhet të largohen nga servilizmi i rekomandimeve të FMN-së dhe Bankës Botërore. Nëse nuk ulen tatimet nuk e di si do të lind zhvillimi i Kosovës. Mos të mendohet se zyrtarët e FMN-së dhe BB-së gjithmonë janë dashamirës dhe nëse nuk bëhen sa me shpejt ndryshimet e tatimeve për tu përshtatur me rajonin atëherë ardhmëria e Kosovës do të jetë e zymtë. Mund të dështojë i gjithë shteti i Kosovës”, tha Gërxhaliu.
Sipas Gërxhaliut me politiken aktuale që e bën Kosova, promovohen investimet në vendet e rajonit.

Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF) ka bërë 6 propozime të ndryshme sa i përket ndryshimeve të tatimeve në vend, të cilat pritet të aplikohen nga janari i vitit të ardhshëm.

Normat e tatimit në Kosovë janë më ta lartat në rajon.

"Në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni dhe Serbi norma e tatimit në fitim apo THK-së janë 10%, e në Mal të Zi 9%. Vetëm Kosova dhe Kroacia e kanë normën e THK-së 20%. Normë më të madhe, nga të gjitha këto vende duke shkuar në 22 %aplikon Sllovenia". /Telegrafi/