Site icon Telegrafi

FMN kritikon ashpër Qeverinë për investimet

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) po vlerëson se investimeve qindra milionëshe të Qeverisë së Kosovës nuk po u shihet hair. Në raportin e fundit të këtij institucioni financiar ndërkombëtar thuhet se pavarësisht nivelit të lartë të shpenzimeve publike që bënë shteti, efikasiteti i tyre është relativisht i ulët.
Krejt kjo për shkak të ndikimit politik të grupeve lobuese në rritje, shkruan në raportin e publikuar këtë muaj nga FMN, sipas të cilit nuk po lejojnë të investohet në fushat me interes të përgjithshëm që do të kishin efekt në ekonominë e vendit, por po i orientojnë drejt interesave të veta.

“Presioni politik për të shpenzuar në fusha jo emergjente është i madh dhe po rritet nga grupet e fuqishme lobuese si pensionistët, veteranët, ish të burgosurit politik dhe shërbyesit civil bashkë me partnerë ndërkombëtar”, thuhet në raportin e vlerësimit të menaxhimit të investimeve publike të FMN-së.
Këto shpenzime rrezikojnë të lënë anash shëndetësinë, edukimin dhe projektet tjera kapitale të cilat do të nxisnin rritjen ekonomike dhe do të reduktonin varfërinë vë në pah FMN. Kështu, efikasiteti i investimeve publike në Kosovë është shumë më poshtë krahasuar me vendet e rajonit dhe vendet tjera në zhvillim, shkruan në raportin e FMN-së.

Të dhënat e fundit të shpenzimeve publike tregojnë se Qeveria e Kosovës tërë investimet kapitale viteve të fundit i ka orientuar në shtrimin e rrugëve me asfalt.

Vetëm vitin e kaluar investimi ka arritur shifrën prej 237 milionë e 605 mijë euro për ndërtimin e rrugëve nga totali i buxhetit. Derisa në vitin 2014 këto shpenzimet kanë qenë në 212 milionë e 549 mijë euro.

Pavarësisht investimeve në rrugë dhe infrastrukturë përcjellëse cilësia e arsimit dhe infrastrukturës shëndetësore sipas FMN-së është nën standardet rajonale.
Dhe për të kaluar këtë hendek FMN rekomandon forcimin e institucioneve të menaxhimit të investimeve publike.

Të investohet më shumë në arsim e energji

Disa nga çështjet specifike që ka adresuar FMN-ja janë transporti, energjia, arsimi si dhe shëndetësia, shkruan Gazeta Fjala. Në fushën e transportit Fondi Monetar Ndërkombëtar ka konstatuar se pavarësisht investimeve kapitale në transport, buxheti i ndarë për mirëmbajtjen e tij është më i vogël se sa në vendet e rajonit.

FMN-ja dhe Banka Botërore kanë sugjeruar që të rritet taksa e shfrytëzimit të rrugëve si dhe ajo për regjistrimin e automjeteve si mënyrë për të rritjen e buxhetit që të duhet të vihet në dispozicion për mirëmbajtjen e rrugëve. Sa i përket fushës së energjisë vendi në nëntëdhjetë e tetë për qind e prodhimit të saj varet nga dy termocentralet e vjetra që funksionojnë me linjit ndërkohë që vendi ende përballet me ndërprerjet e energjisë.

Bazuar në të dhënat e FMN-së, rreth 50 për qind e kompanive në Kosovë e kanë identifikuar qasjen në energji elektrike si një pengesë e madhe për funksionimin e tyre, krahasuar me vendet e rajonit.

“Me 6 për qind në Mal të Zi, 8 për qind në Serbi, dhe 10 për qind në Bosnjë Hercegovinë”, shkruan në këtë raport.

Ndërtimi i termocentralit të ri shihet nga FMN si ndihmesë e madhe për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në përmirësimin e furnizimit me energji.
“Ka gjithashtu hapësirë për përmirësimin e efikasitetit nëpërmjet burimeve të ripërtritshme të energjisë, dhe përmirësimin e përdorimit të energjisë në ndërtesat publike”, thekson FMN.

Ndërkaq, arsimi në vend sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar po ashtu ka mbetur mbrapa.

Investimet e qeverisë në infrastrukturën arsimore gjatë disa viteve të fundit nuk kanë mundur të zëvendësojnë mësimin me tre ndërrime nëpër shkolla.
Gjithashtu FMN shkruan se kapaciteti për arsimin e mesëm nuk është i mjaftueshëm, ndonëse ka hapësirë për përdorim më të mirë të burimeve.
Sa i përket shëndetësia FMN në raportin e publikuar këtë muaj shkruan se janë bërë investime në pajisje të reja mjekësore dhe ndërtesave, ndërkohë që ka mangësi në sistemet e kanalizimit dhe të ujësjellësit nëpër institucionet shëndetësore.

FMN-ja rekomandon që të rritet efikasiteti i ofrimit të shërbimeve, duke përqendruar shpenzimet për kujdesit parësor shëndetësor dhe përmirësimin e mirëmbajtjen e objekteve ekzistuese.

Ndërkohë që edhe Banka Botërore ka rekomanduar gjithashtu një skeme kontributesh të sigurimit shëndetësor që do të hyjë në fuqi në 2017. “Skema do të rrisë burime shtesë për shëndetin e financuar në nën-sektor dhe për të zgjeruar bazën tatimore”, shkruan në raportin e FMN-së. /Gazeta Fjala/Telegrafi/

Exit mobile version