Telegrafi

FMN kritika të ashpra në adresë të qeverisë kosovare

FMN thotë se buxheti i këtij viti është parashikuar në pritje jorealiste të Qeverisë që do të kthehet huaja që i është dhënë KEK-ut nga buxheti i Kosovës. Mirëpo, nisja e privatizimit të kësaj kompanie publike, dhe vonesat në këtë proces mund të bëjnë që edhe kthimi i kredisë të vonohet.

Në përgjithësi, FMN ka paraparë rreziqe fiskale si pasojë e rritjes së shpenzimeve nga ana e qeverisë së Kosovës në masën 39 %.

“Në kundërshtim me rekomandimet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, disa ministri kanë kërkuar para shtesë nën Rishikimin e Buxhetit për mesin e vitit, dhe qeveria tash po e shqyrton mundësinë e rritjes së shpenzimeve për 1 ½ të GDP-së në këtë vit”, thuhet në raport.

FMN thotë se asnjë rritje nuk bën të ndodhë, sepse do t’i vinte në pikëpyetje politikat e përgjithshme të shpenzimeve të qeverisë dhe do të përbënte një precedent të rrezikshëm për përgatitjet e buxhetit për vitin 2010.

Në kuadër të rreziqeve fiskale, FMN thotë se gjendja e mjerueshme e KEK-ut mund të rezultojë e kushtueshme, pasi që mund të ketë nevojë për më shumë import të energjisë elektrike.

Gjithashtu shpenzimet dhe financimi i autostardës që do të lidhë Kosovën me Shqipërinë, nuk janë vlerësuar sa duhet, sikurse edhe rreziqet për përkushtimet e qeverisë në projekte të ardhshme.

Ministri i Transportit, Fatmir Limaj para do kohe e ka pranuar se qeveria nuk e ka idenë se ku do t’i sigurojë paratë për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare. Një tjetër pikë e rëndësishme e raportit, i bën thirrje qeverisë Thaçi që të mos bëjë thirrje për rritjen e pagave para zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit.

Në disa takime me arsimtarë në shumë komuna kosovare, kryeministri Thaçi ka folur për rritjen e pagave të kësaj shtrese të shoqërisë.

Një tjetër kritikë e organizatës ndërkombëtare financiare ka të bëjë me miratimin e ligjeve dhe dokumenteve të politikave pa i marrë parasysh shpenzimet dhe konsistencën e prioriteteve të qeverisë për planin afatmesëm të shpenzimeve.

Këtu përfshihen Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve, Ligji për Shërbimin Civil, Ligji për Pagat e Shërbyesve Civilë, si dhe Letra e Bardhë e Politikave Sociale.

Edhe pse implementimi i këtyre ligjeve ka gjasa të shtyhet deri në vitin e ardhshëm, kjo do të bëjë që të rriten shpenzimet edhe për 1 % të GDP-së kombëtare.

Ministri Arsim Bajrami ka tërhequr para disa muajsh nga Kuvendi, Ligjin për Shërbimin Civil dhe për Pagat e Shërbyesve Civilë, duke i kthyer në qeveri. Përfundimisht, FMN ka paraparë uljen e rritjes ekonomike në Kosovë nga 5.4 % sa ishte në vitin 2008, në 3.4 % për vitin 2009. /ktv/