Fondi Monetar Ndërkombëtar, këshillon që Projektligji për mësimdhënësit e viteve ’90-ta, të mos shkojë përpara, pasi Draftligji aktual është shumë i kushtueshëm dhe do të mund ta rrezikonte qëndrueshmërinë e financave publike të Kosovës.
Përfaqësuesi Rezident i FMN-së në Kosovë, Rud Vermeulen, i tha Radio Kosovës se përfitimet pensionale të parashikuara në draftligj janë bukur të larta.
Përfaqësuesi Rezident i FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen, përmes postës elektronikë, tha për Radio Kosovën se nga këndvështrimi i tyre, Ligji për mësimdhënësit e viteve ’90-ta, do të duhej të ri-dizajnohet që të ketë trajtim të drejtë për mësimdhënësit dhe taksapaguesit, duke ofruar një kompensim të arsyeshëm dhe afatgjatë që Kosova mund ta përballojë. “Sistemi i pensioneve të pleqërisë nuk është instrumenti i duhur për kompensimin e këtyre punëtorëve të arsimit”, tha Vermeulen. Ai shtoi se në vend që të sigurohej një pension jetësor, kompensimi mund të bazohej në pagat e mësuesve në atë kohë, duke ua përshtatur shkathtësive dhe kompensimin e marrë, dhe të paguhej në pjesë. Ai tha se Draftligji aktual është shumë i kushtueshëm dhe do të rrezikonte qëndrueshmërinë e financave publike të Kosovës. “Prandaj, ne do të këshillonim që të mos shkohet përpara me këtë projektligj”, ka thënë Vermeulen.
“Ne njohim kontributin e mësimdhënësve që kanë shërbyer gjatë kohës së mbajtjes së mësimit nëpër shtëpi në vitet e vështira të ‘90-tave. Në një formë ne nuk jemi kundër kompensimit, por eksitojnë mënyra më të mira për ta bërë këtë, pa e dobësuar sistemin e fondit të pamjaftueshëm pensional dhe krijimin e një zbrazëtire permanente në buxhet”, ka thënë ndër të tjera përfaqësuesi i FMN-së.
Ai tha se përfitimet pensionale të parashikuara në draftligj janë goxha bujare duke pasur parasysh nivelin e pagave në vitet 1990 dhe nivelin aktual të pensioneve në Kosovë.
“Që të ilustrohet kjo, një punëtor mestar duhet të ketë kontribuar në fond pensional për 40 vjet që të krijojë një pension prej 65 përqind të të ardhurave, pas daljes në pension – duke supozuar rritje të moderuar të pagave dhe kthim të favorshëm të investimeve”, shtoi Vermeulen. Ai ka theksuar se në pagën bazë aktualisht për mësuesit, ai ose ajo do të merrte një pension mujor prej më shumë se 260 eurove.
“Kjo është për 50% më e lartë se mesatarja e një pensionisti që ka punuar për së paku 15 vite para vitit 1999. Ky gjenerozitet përben ngarkesë për buxhetin që mund të mos jetë aq e dukshme në vitin e parë të zbatimit”, ka thënë ai, duke shtuar se sa më shumë mësimdhënës që pensionohen, kostoja do të rritet dhe shumë lehtë mund të arrij 1 përqind të GDP për vit.
“Duke pasur parasysh kufizimet e të ardhurave, kjo do të ndikonte në koston e shpenzimeve shumë të nevojshme për të përmirësuar rezultatet e arsimit, i cila duhet të jetë një prioritet i lartë politik, për të adresuar mangësitë në tregun e punës, për të zvogëluar papunësinë, për të përmirësuar kujdesin shëndetësor dhe infrastrukturën”, ka thënë Përfaqësuesi Rezident i FMN-së në Kosovë Ruud Vermeulen.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën se kanë zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e FMN-së në Kosovë, të cilit i kanë paraqitur argumente se Ligji nuk është shumë i kushtueshëm dhe se buxheti i Kosovës mund ta përballojë.
“Ne kemi bindjen se përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë, ka marrë informacione të bollshme dhe jam i sigurt se tani e tutje nuk do të reagojnë lidhur me këtë Ligj, pasi e kanë vërejtur se kemi pasur kujdes të pjesa buxhetore. Shumat që janë zyrtare se sa kërkohet brenda një viti, ai i ka në tavolinë dhe besoj se FMN nuk do të paraqesë pengesa për Ligjin.”
Jasharaj tha se në rast se Kuvendi e kthen Ligjin përsëri në Qeveri, atëherë do të reagojnë me veprime sindikale për të mbrojtur Ligjin. Ndërkohë, ministri i Financave, Bedri Hamza, pati votuar kundër këtij projktligji në mbledhjen e Qeverisë, e cila me shumicë votash e procedoi atë për në Kuvend. Hamza kishte deklaruar se ky ligj ka kosto shtesë prej miliona euro, duke theksuar se është në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e financave publike.
Sipas Projektligjit, pensionet e parapara rangojnë nga 50 përqind deri në 70 përqind të rrogës bazë të mësimdhënësve, për ata që punuan në sistemin paralel deri në pesë dhe përkatësisht 10 vjet. /Telegrafi/