Site icon Telegrafi

FMN jep vlerësimet për ndikimin e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Gabriel Di Bella, kanë vlerësuar se sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës mund të kenë ndikim në performancë nëse vazhdojnë të qëndrojnë për një kohë më të gjatë.

Ekipi i udhëhequr nga Di Bella pas vizitës në Prishtinë gjatë periudhës 25 shtator – 6 tetor 2023, për diskutime mbi rishikimet e para të Marrëveshjes së kujdesit paraprak Stand-By (SBA) ka vlerësuar po ashtu se ekonomia në vitin 2023 parashihet të zgjerohet për 3.5 – 4 për qind.

Po ashtu në komunikatë thuhet se ekipi i FMN-së dhe autoritetet e Kosovës kanë arritur dakordim në nivel të stafit për përmbylljen e rishikimeve të para të SBA-së së kujdesit paraprak dhe Aranzhimeve në kuadër të RSF-së. Pas aprovimit nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së, përmbyllja e rishikimeve të para – që pritet të ndodhë në nëntor – do të sigurojë disponueshmërinë e SDR 20.03 milionë (24.6 milionë euro) në kuadër të SBA-së dhe SDR 30.976 milionë (rreth 38 milionë euro) në kuadër të aranzhimeve të RSF-së.

Sipas FMN-së autoritetet kanë bërë të ditur se, në këtë kohë, nuk planifikojnë tërheqjen e resurseve në dispozicion në kuadër të marrëveshjes SBA.

“Ekonomia në vitin 2023 parashihet të zgjerohet për 3.5-4 për qind, e nxitur nga investimet më të larta dhe kërkesa e jashtme, veçanërisht e shërbimeve. Me ngadalësimin e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, inflacioni mesatar këtë vit pritet të jetë në nivelin prej 4-5 për qind, ndërsa deficiti i llogarisë rrjedhëse pritet të ngushtohet. Stafi pret që dinamika e rritjes ekonomike të vazhdojë në vitin 2024 dhe që inflacioni të vazhdojë të zbutet”.

“Megjithatë, paqëndrueshmëria globale dhe tensionet gjeopolitike e mbajnë pasigurinë në nivel të ngritur dhe paraqesin rrezik për rritjen ekonomike dhe inflacionin. Tensionet e vazhduara në Kosovën veriore kanë bërë që disa partnerë ndërkombëtarë të aplikojnë masa të përkohshme ndëshkuese dhe të kthyeshme për të nxitur deeskalimin. Këto masa nuk pritet të kenë ndikim në perspektivën ekonomike në afat të shkurtër, por mund të kenë ndikim në performancë nëse vazhdojnë të qëndrojnë për një kohë më të gjatë”, ciotohet Di Bella në komunikatë.

Sipas njoftimit: Autoritetet kanë vazhduar të zbatojnë politika të kujdesshme fiskale dhe financiare dhe kanë shënuar progres të mirë në zbatimin e agjendës së tyre të politikave sipas aranzhimeve të mbështetura nga Fondi. Bilanci fiskal dhe depozitat e qeverisë në Bankën Qendrore (BQK) kanë mbetur mjaftueshëm mbi nivelin e tyre sipasprogramit gjatë 2023 dhe absorbimi i investimeve publike është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2022; stafi i FMN-së pret që 2 objektivat për fundin e vitit 2023 do të përmbushen.

“Autoritetet synojnë ta dërgojnë buxhetin për vitin 2024 në Kuvend në përputhje me objektivat e SBA-së dhe RSF-së, duke përfshirë një ulje të konsiderueshme në ndarjet buxhetore për kontingjenca – nën tavanin e programit. Janë zbatuar të gjitha standardet strukturore të SBA[1]së për rishikimin dhe është vërejtur një progres i mirë drejt përmbushjes së standardeve strukturore të pritshme për muajt në vijim”.

“Në këtë drejtim, emërimi i guvernatorit të ri të BQK[1]së dhe normalizimi i strukturave qeverisëse të BQK-së i ka dhënë shtysë të re zbatimit të reformave. Stafi i FMN-së pret që së shpejti do të miratohet rregullorja e re e punës e cila do t’i qartësojë përgjegjësitë e bordit mbikëqyrës të BQK-së në raport me bordet ekzekutive dhe që ligji i ri për bankat të dorëzohet në Kuvend në fillim të vitit 2024”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu thuhet se për më tepër, autoritetet kanë filluar zbatimin e programeve për të rritur efiçiencën e energjisë në ndërtesa të banimit dhe kanë ndërmarrë hapa drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal, konkurrencës në treg dhe funksionimit përmes zbatimit të veprimeve të favorshme për fillimin e operimit të tregut të energjisë elektrike një ditë përpara (day-ahead) për Kosovën në kontekst të Tregut Rajonal të Energjisë Elektrike Shqipëri-Kosovë (ALPEX).

Për t’i mbrojtur konsumatorët e cenueshëm të energjisë, autoritetet kanë përgatitur një plan gjithëpërfshirës, me financim për këtë në buxhetin e vitit 2024.

Në fund, Di Bella ka thënë se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka finalizuar punimet teknike të nevojshme për instalimin e filtrave në termocentralin Kosova B. Për më tepër, plani buxhetor i KEK-ut për vitin 2024 përfshin një ndarje kontigjente prej 12.5 milionë euro si plotësim mbi financimin e BE-së për instalimin e filtrave të parë të tillë në bllokun B-2, i cili, pas përfundimit të punimeve, do të reduktonte ndjeshëm ndotjen në Prishtinë dhe zonat përreth.

“Dëshirojmë t’i falënderojmë autoritetet për diskutime të sinqerta dhe për mikpritjen e tyre të ngrohtë gjatë misionit. E mirëpresim vazhdimin e angazhimit tonë në mbështetje të Kosovës dhe popullit të saj”, thekson Di Bella.

Exit mobile version