Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), huadhënësi më i madh botëror, ia ka sjellë punën në zgrip Kosovës në mosmarrëveshjet me qeverinë e Thaçit. Qeveria është ndodhur në një situatë të vështirë ku i është dashur të zgjedhë: ose të thyejë premtimet e veta elektorale për rritjen e pagave në njërën anë, ose të bëhet e dëgjueshme ndaj rekomandimeve të FMN-së për mosrritjen e këtyre pagave.
Kur është fjala te huadhënia, të cilën FMN-ja ua jep shteteve të caktuara, kjo, në një farë forme, i bën të lidhura ose të varura këto shtete ndaj këtij institucioni. Nëse marrin hua ose asistencë teknike financiare, kjo është sikurse uji i detit që nëse e pi, je edhe më i etur pastaj.
FMN-ja si institucion ka edhe rolin mbikëqyrës të zhvillimit ekonomik ndaj vendeve të anëtarësuara. Ajo ka dhënë rekomandime për qeverinë kosovare që rritja të mos jetë aq sa ka premtuar Thaçi, por të jetë më e vogël. Mirëpo, qeveria ka zgjedhur opsionin e parë, që t’i rrisë pagat edhe pse FMN-ja nuk e rekomandon një gjë të tillë. Ky veprim do të çojë te prishja e marrëveshjes për ndihmesë nga FMN-ja dhe, kësisoj, Kosova rrezikon të humbasë vlerën e premtuar prej 200 milionë eurosh.
Kryeministri i Kosovës nuk e sheh këtë rritje si negative për të ardhmen ekonomike të Kosovës, ngase ky ndryshim në nivelin e pagave nuk e rrezikon rezervën buxhetore të shtetit. Ai i është revanshuar FMN-së, duke deklaruar se përqindja e madhe në rritjen e pagave nuk është ngarkesë për buxhetin, sepse pagat bazë nuk janë të larta. Buxheti i Kosovës në parim është miratuar ditën e premte në Kuvend, por me disa ndryshim-propozime. Në këtë konstelacion veprimesh të kosovarëve pritet të shihet se çfarë do të pasojë në marrëdhëniet Kosovë – FMN.
Tek e fundit, nëse këto pasoja tejkalohen vetëm me prishjen e kësaj marrëveshje dhe nuk përcillen me ndonjë penalizim shtesë, kjo mosdëgjueshmëri e vendorëve ndaj rekomandimeve të FMN-së do të kapërdihej disi.
Tërë ata ekspertë e profesionistë, që ka përreth kryeministri, nuk mund t’iu ketë ikur ky “detaj” në raport me FMN-në, ose ata e kanë tejkaluar këtë problematikë, duke e llogaritur si të vogël, në mënyrë që premtimi i kryeministrit të realizohet.
Kundër këtyre veprime të kryeministrit dhe qeverisë së tij më të zëshëm janë opozita, duke e kundërshtuar propozim-buxhetin për vitin 2011, duke votuar kategorikisht kundër në Kuvend. Disa parti opozitare, me kësisoj kundërshtish, luajnë një rol destruktiv, ngase ato nuk ofrojnë ndonjë alternativë tjetër, por vetëm e paraqesin si negativ çdo veprim, ide dhe propozim qeveritar.
Përfundimisht, Kosova, si shtet që është shpallur i pavarur dhe ka 3 vjet shtet, duhet të jetë më këmbëngulëse dhe jo vetëm të shtrijë qafën ndaj çdokujt që i propozon dhe i rekomandon diçka. Edhe në raport me FMN-në, sa i përket mosmarrëveshjeve të fundit, qeveria nuk ka bërë ndonjë mëkat aq të madh që ka qenë e padëgjueshme, ngase duke e jetuar përditshmërinë e vështirë në Kosovë e ka parë si të domosdoshëm këtë ndryshim.
FMN-së i intereson që shtetet të jenë sa më të varura ekonomikisht e financiarisht dhe, si të tilla, në rend global, të jenë të kontrolluara më lehtë. Por, a duhet që kosovarët për çdo veprim që bëjnë të marrin ‘amin’-in e ndërkombëtarëve për një gjë të tillë?
Kosova ka një territor të vogël dhe një numër të vogël banorësh, sa një lagje e një metropoli të madh botëror, për shembull Parisi a Stambolli dhe ka një dendësi jo aq të lartë. Me këtë dosje të dhënash, Kosova ka mundësinë që të zhvillohet shumë shpejt, sidomos përmes sektorit bujqësor dhe blegtorisë, duke prodhuar vetë produktet bazë që i nevojiten qytetarëve dhe mos të jetë shumë e varur nga importi. Duke rritur prodhimin vendor, në mënyrë të patjetërsueshme, Kosova do të rriste ekonominë e vet dhe, dalëngadalë, nuk do të varej as nga asistencat e huatë ndërkombëtare, që vërtet janë sikurse uji i detit që kur e pi një i etur, etet edhe më shumë.