Telegrafi

FMN-ja përfundon vizitën trejavore në Kosovë

Ekipi i Fondit Monetar ka zhvilluar takime intensive përgjatë tre javëve me ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala dhe stafin udhëheqës të kësaj ministrie.

Ministri Shala i ka informuar përfaqësuesit e FMN-së lidhur me përparimet e bëra që nga vizita e tyre e fundit në tetor të vitit të kaluar, posaçërisht duke u fokusuar në arritjet në ekzekutimin e buxhetit dhe aprovimin i tij në Parlamentin e Kosovës, reformat e ndërmarra në Administratën Tatimore, sektorin e energjisë, përmirësimin e inkasimit të të ardhurave në Korporatën Energjetike të Kosovës, përmirësimin e menaxhimit të financave publike si dhe hapat e ndërmarrë për zgjidhjen e problemeve dhe nevojave sociale.

Për më tepër, me ekipin e FMN-së janë shqyrtuar edhe masat që do të ndërmerren nga ana e Qeverisë së Kosovës për sigurimin e suksesit të projekteve të mëdha e me interes nacional të Kosovës, si dhe mënyrat e adresimit të nevojave të shumta të qytetarëve të vendit, natyrisht në korniza të asaj që konsiderohet qëndrueshmëri financiare dhe gjithmonë duke ju përmbajtur rregullave fiskale dhe buxhetit të balancuar.

“Gjatë vizitës tre javore, Qeveria e Republikës së Kosovës ka dëshmuar seriozitet të lartë dhe përkushtim të devotshëm në shumë çështje dhe probleme të cilat janë jetike për qytetarët dhe Qeverinë e Kosovës siç janë: fuqizimi i proceseve buxhetore, ekzekutimi i investimeve kapitale, integriteti i procesit buxhetor, pёrmirёsimi i sistemit rrugor që nxitë integrimin rajonal dhe përmirëson konkurrencën, si dhe plotësimi i kërkesave që kanë të bëjnë me decentralizimin e çështjeve buxhetore të cilat dalin nga Plani i Presidentit Ahtisaari”, thuhet në një komunikatë të MEF-it.

Si rrjedhojë e takimeve të shumta me ministritë relevante dhe identifikimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës, ndihma dhe përkushtimi afatgjatë i FMN-së është vendosur të jetë hap i ardhshëm drejt rrugës së zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik të Kosovës. /Telegrafi/