Site icon Telegrafi

FMN-ja parashikon krizë në skemën e pensioneve në Shqipëri, pritet ulje e kontribuesëve dhe rritje e pensionistëve në të ardhmen

Shqipëria po shkon drejt një tranzicioni demografik. Deri në vitin 2070, pesha e të moshuarve pritet të arrijë në 40 për qind të popullsisë në krahasim me vetëm 17 për qind sot.

Në të njëjtën periudhë popullsia e në moshë pune (25-64) parashikohet të bjerë nga 54 aktualisht në 41 për qind më 2070. Në rishikimin e fundit të Marrëveshjes me Shqipërinë Fondi Monetar vë në dukje se, gjeneratat e ardhshme të pensionistëve shqiptare rrezikojnë varfërinë për shkak se nuk përmbushin kriteret për përfitimin e pensionit të plotë.

Informaliteti në tregun e punës sot do të shfaqet me pasoja negative në të ardhmen afatgjatë. Fondi vë në dukje se në qershor 2022, 1.7 milionë njerëz ishin të moshës 15-64 vjeç, prej të cilëve rreth 38 për qind po kontribuonin tek skema e pensioneve dhe pjesa tjetër 60 për qind nuk ishin as kontributorë dhe as pensionistë dhe rreth 4 për qind ishin pensionistë.

Ndër të vetë-punësuarit, një numër i vogël po kontribuon në skemën rurale, ndërsa të vetë punësuarit e tjerë kontribuojnë në sigurime (rreth 10 për qind e totalit të kontribuuesve në skemën e pensioneve). Shkalla e ulët e mbulimit të kontribuuesve shton rrezikun për pensione të pjesshme ose sociale në të ardhmen.

Gjithashtu tregu i punës vuan nga nën-raportim i pagave reale duke u bërë shkak për shmangie të kontributeve dhe me vonë mungesën e të ardhurave në pleqëri.

Në krahun tjetër shpenzimet për pensione janë nën presion pasi skema publike e sigurimeve mbulon pothuajse të gjithë të moshuarit. Raporti i përfituesve të pensionit mbi popullsinë 65+ është një nga më të mëdhenjtë në Rajon. Kjo përqindje e lartë është nxitur nga rregullat e mëparshme për pensionet e pleqërisë (mosha më e ulët e pensionit, pensioni i parakohshëm i përgjithshëm dhe profesional dhe punësimi i plotë nën regjimin komunist para viteve 1990).

Një reformë e madhe e sistemit të pensioneve u zbatua në vitin 2015. Reforma rrit gradualisht kohëzgjatjen e kontributit të kërkuar për një pension të plotë deri në 40 vjet deri në vitin 2032. Mosha e daljes në pension do të rritet në 67 vjeç deri në vitin 2056 si për burrat ashtu edhe për gratë. U vendos një pension social jo kontribut dhënës dhe u lidh ngushtë kontributi me pagat reale.

Kohëzgjatja e kontributit për të pasur të drejtën e pensionit të plotë është aktualisht 37.5 vjet aktualisht dhe kufiri për të përfituar një pension të pjesshëm është më i lartë se mesatarja e OECD (34 vjet për një pension të plotë dhe 13 vjet për një pension të pjesshëm).

FMN vë në dukje se kur shumë punonjës janë në informalitet, një periudhë e gjatë kontributesh mund të veprojë si dekurajues për të kontribuar në skemën e pensioneve. /Telegrafi/

Exit mobile version