Telegrafi

FMN-ja me program të ri për Kosovën

Ekipi i misionit të FMN-së do të fillojë negociatat për një program të ri të Kosovës me FMN-në.
Ky program i ri me FMN-në, e rrit besueshmërinë e partnerëve dhe institucioneve financiare ndërkombëtare ndaj Qeverisë së Kosovës dhe mundëson hyrjen në kredi afatgjate, me kushte shumë të volitshme, për të financuar projektet e Qeverisë së Kosovës.

Kështu u tha sot në një takim mes ministrit të Financave Avdullah Hoti dhe zëvendësdrejtorit menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar MinZhu.

Kjo është edhe vizita e nivelit më të lartë të FMN-së që e viziton Kosovën.

Ministri Hoti e falënderoi MinZhu për vizitën e tij të parë në Kosovë dhe informoi atë për planin zhvillimor të Qeverisë së Kosovës, ku sipas tij parashihen një sërë masash të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe financiar të Kosovës. Ai me këtë rast gjithashtu konfirmoi edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim sa më të ngushtë me FMN-në.

Ndërsa, zëvendësdrejtori menaxhues i FMN-së MinZhu e vlerësoi lart përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe progresin e arritur në Kosovë deri më tani dhe gjithashtu bëri të ditur se vizita e tij në Kosovë tregon përkushtimin e FMN-së për zgjerimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. /Telegrafi/