Telegrafi

FMN-ja ia transferon Kosovës këstin e katërt të kredisë

Kjo kredi, e konsideruar si e butë, i është mundësuar Kosovës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar pas nënshkrimit të “Stand-By” marrëveshjes më 29 korrik të këtij viti. Marrëveshja “Stand-By” konsiderohet e vlefshme deri më 20 janar të vitit 2012.
Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave nuk kanë dhënë shpjegime të enjten rreth transferimit të këstit të katërt të kredisë nga FMN-ja për këtë vit.

Kjo kredi i është dhënë Kosovës për tejkalimin e deficitit buxhetor të llogaritur në fillim të gjysmës së dytë të këtij viti. Deficiti primar i llogaritur për këtë vit u afrohej 220 milionë eurove, ndërsa zbritja e tij do të mundësohet edhe nga financimet e tjera ndërkombëtare, përfshirë edhe të ardhurat nga Komisioni Evropian dhe nga Banka Botërore.
Përqindja e kamatës të cilën do ta kthejë Kosova për kredinë në vlerë prej rreth 87 milionëve llogaritet të jetë rreth 0.57 për qind. Ndërsa e tërë shuma e të hollave që Kosova pritet ta kthejë në formë të kamatës llogaritet të jetë në vlerë prej rreth 500 mijë eurosh.

Në fillim të implementimit të marrëveshjes me FMN-në, ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, pati thënë se institucionet përgjegjëse financiare të Kosovës janë marrë vesh që Komisionit Evropian t’i raportojnë çdo gjashtë muaj për shpenzimet e bëra.

Ndërkohë, bazuar në raportin e rishikimit të buxhetit të bërë gjatë muajit qershor, arka e shtetit do të jetë e pambushur për mbi 200 milionë euro në proporcion me shpenzimet e parallogaritura me të hyrat buxhetore. Sipas raportit, të hyrat e parashikuara do të jenë në vlerën prej 1 miliard e 106 milionë euro.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ende nuk ka publikuar të dhëna mbi qëndrimin e një stafi gjatë fundit të muajit tetor në Kosovë. Ky mision ka bërë llogaritjet dhe inspektimet e mundshme financiare dhe gjendjen aktuale të buxhetit të Kosovës. /Koha/Telegrafi/