Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), do të derdhë 150 deri në 200 milionë dollarë në buxhetin e Kosovës në mënyrë që të mbështesë makrosistemin fiskal. Këto mjete do t’i shtronin rrugën Qeverisë së Kosovës për të investuar në projekte zhvillimore, siç janë ato në energjetikë dhe bujqësi.
Për këto mjete ka garantuar zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Min Zhu, i cili po qëndron për vizitë disaditore në Kosovë.
“Ne do ta mbështesim Kosovën në këtë makrostabilitet, kurse Qeveria me këtë rast do ta ketë hapësirën e duhur që të rrisë nxitjen përmes investimeve”, ka thënë Min Zhu, raporton Zëri.
Ai më tej ka thënë se Kosova dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar janë në rrugë të mirë që të riparojnë marrëdhëniet, të cilat në të kaluarën nuk ishin aq të mira.
Min Zhu ka bërë të ditur se qëllim është i krijimit të një kornize të qëndrueshme zhvillimore, e cila do të tërhiqte investime të huaja dhe do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të Kosovës. /Telegrafi/