Telegrafi

FMN i ofron zyrtarisht Kosovës anëtarësimin

Në një deklaratë, Bordi njoftoi se Kosova do të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar kur përfaqësuesit e saj të nënshkruajnë marrëveshjen në Washington ku ndodhen zyrat qendrore të FMN-së.

Kuota fillestare e propozuar nga Bordi për Kosovën është rreth 88.6 milionë dollarë. Secilit nga të 185 vendet anëtare që ka Fondi i caktohet një kuotë e cila bazohet kryesisht në peshën që çdo vend zë në ekonominë botërore.

Serbia dhe Rusia e kundërshtuan në mënyrë aktive kërkesën e Kosovës për anëtarësim në FMN dhe sipas gazetës The Wall Street Journal, pranimi i saj u shoqërua me debate.

Kosova e bëri kërkesën e anëtarësimit në FMN vitin e kaluar menjëherë pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë. Po vitin e kaluar Fondi Monetar e njohu shkëputjen e Kosovës nga Serbia megjithëse shteti i ri nuk është anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. /VoA/