Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore, janë zotuar të rrisin përpjekjet e tyre për të qetësuar goditjen në ekonominë globale nga pandemia e coronavirusit.
Drejtorja e FMN-së, Kristalina Georgieva dhe presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, theksuan se agjencitë e tyre janë të vetëdijshme për kërcënimin në rritje nga një krizë shëndetësore.
“Një tkurrje e madhe e ekonomisë globale në gjysmën e parë të vitit 2020 është e pashmangshme”, tha Georgieva.
“Pasiguria rreth ashpërsisë dhe kohëzgjatjes së krizës është jashtëzakonisht e lartë”, shtoi ajo.
FMN po parashikon që ekonomia globale do të tkurret me 3 përqind këtë vit, rënia më e keqe që nga Depresioni i Madh në vitet ’30 dhe më e rëndë se kriza më e fundit financiare që filloi në vitin 2008.
Të dy institucionet gjatë dy muajve të fundit kanë paraqitur një numër programesh mbështetëse. FMN-ja ka shqyrtuar kërkesa për kredi urgjente nga pothuajse gjysma e 189 vendeve të saj anëtare.
FMN dhe Banka Botërore morën mbështetje këtë javë nga G20-ta, apo grupi i vendeve kryesore industriale, për një moratorium për shlyerjen e borxheve për vendet më të varfra në botë – si Afganistani, Etiopia dhe shumë vende afrikane.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, tha se moratoriumi i borxhit për vendet më të varfra ishte një fillim i mirë, por duhet bërë më shumë duke marrë parasysh ashpërsinë e krizës aktuale.