Site icon Telegrafi

FMN: Borxhi grek i paqëndrueshëm

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kërkon që partnerët europianë të Greqisë t’i japin Athinës një lehtësim të borxhit, pasi e sheh atë shumë të paqëndrueshëm.

Më herët gjatë javës, Greqia dhe inspektorët nga pala kredituese shtynë bisedimet mbi rishikimin e programit të shpëtimit, kryesisht për shkak të një përçarje midis huadhënësve mbi një hendek fiskal dhe mbi aftësinë e Athinës për të përballuar reformat jo-popullore.

Ata do të rinisin rishikimin pas takimit të kësaj jave të Fondit në Washington, ku huadhënësit pritet të diskutojnë gjithashtu mbi reformat e Greqisë dhe borxhin, pasi do të jenë të pranishëm ministri grek dhe ai gjerman i Financave.

“Pavarësisht progresit në reforma, dinamikat e borxhit projektohet të jenë të paqëndrueshme. Për të rikthyer qëndrueshmërinë e borxhit, përveç reformave, duhen veprime vendimtare nga partnerët europianë për të dhënë lehtësim të mëtejshëm”, shkruhej në draftin e FMN-së.

Institucionet europiane presin që Greqia të ketë një mungesë fiskale prej 3% të Produktit të Brendshëm Bruto në 2018-ën, ndërsa FMN e parashikon në 4.5%. Institucionet europiane thonë gjithashtu se Athina mund të arrijë një suficit primar, që është balancimi i buxhetit përpara kostove të shërbimit të borxhit, në 3.5% të Produktit të Përgjithshëm deri më 2018-ën.

Drafti i Fondit Monetar Ndërkombëtar projektonte një normë mesatare të rritjes ekonomike prej 1.25% në afat-gjatë, që është më ulët se parashikimi i mëparshëm.

Reformat në pensionet në memorandumin e FMN-së përfshijnë ndalimin e përfitimeve për pensionistët e varfër (EKAS), rillogaritjen e pensioneve dhe paraqitjen e një pensioni kombëtar prej 345 euro në muaj pas 15 viteve të kontributit dhe 384 euro në muaj pas 20 vjetë kontributesh./Telegrafi/

Exit mobile version