Telegrafi

Fluturojnë çmimet, pagat mbesin të njëjta

Sipas raportit të Entit të Statistikave të Kosovës, ngritje e çmimeve vërehet te perimet për 3.6 për qind me një ndikim prej 0.2 për qind, buka dhe drithërat për 1.1 për qind, qumështi, djathi dhe vezët 1.2 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat për 5.7 për qind, gazetat, librat dhe materialet për zyra 5.8 për qind, që secili grup me një ndikim prej 0.1 për qind.

Sipas të dhënave të fundit të ESK-së, çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 6.2 për qind në muajin nëntor 2010, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ngritje e çmimeve kryesisht vërehet te buka dhe drithërat për 23.4 për qind me një ndikim prej 2.4 për qind, vajrat dhe yndyrat për 33.1 për qind me një ndikim prej 0.9 për qind. Po ashtu, edhe përdorimi i pajisjeve për transportin personal vërehet një rritje prej 12.5 për qind, me një ndikim prej 0.7 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat për 16.6 për qind, duhani për 6.5 për qind.

Po ashtu, krahasuar me vitin që lamë pas edhe çmimi i rrymës në Kosovë është ngritur për 3.6 për qind.

Nagip Skënderi, njohës i mirë i ekonomisë në vend, thotë se ngritja e çmimeve duhet të shkoj paralel me ngritjen e pagave. Ai thotë se në Kosovë çmimet ngrihen çdo ditë. Ndërkaq, pagat ngrihen një herë në pesë vjet, apo edhe më rrallë.

“Në këtë mënyrë siç po vazhdon ngritja e çmimeve shporta e qytetareve të Kosovës është duke u varfëruar çdo ditë. Nëse një trend i tillë i ngritjes së çmimeve vazhdon edhe më tej vendi mund të ballafaqohet në kriza sociale, sepse numri i të varfërve ekstrem është dukë u rritur dita-ditës”, tha Skënderi. /Zëri/Telegrafi/