Dhe, në fund të afatit kalimtar të janarit, numri i tyre pritet të jetë 30 ose më tepër në kategorinë elite të Shqipërisë, shkruan sot Koha Ditore.
Shumica e futbollistëve janë transferuar nga klubet e Kosovës e disa edhe nga klubet e shteteve të ndryshme evropiane.
Kjo lëvizje e madhe e kosovarëve vlerësohet e dobishme për vetë lojtarët dhe klubet e Shqipërisë. Lojtarët marrin paga më të mëdha, kurse klubet e Shqipërisë të favorizuara edhe nga rregullorja që kosovarët i llogarit si vendorë, përforcohen pa shumë investime.
Marrin lojtarë pa paguar lekë. Humbësit më të mëdhenj të gjithë këtij "yryshi" janë klubet dhe tifozët kosovarë.
Futbollistët kosovarë i shohin klubet në Shqipëri si trampolinë për dalje në Evropë, siç është rasti i fundit i Bernard Berishës kur kaloi nga Skënderbeu i Korçës tek Anzhi në Rusi.
Në ditët e fundit, Flamurtari i Vlorës ka hapur me të madhe dyert për kosovarët. Transferoi Besnik Krasniqin, Ilir Berishën, Dardan Çerkinin dhe Mërgim Nezirin, kurse gjatë vjeshtës për skuadrën vlonjate luajtën edhe kosovarët tjerë Debatik Curri, Yll Hoxha, Lorik Maxhuni dhe Kushtrim Lushtaku.