Edhe pse janë ditët e fundit të muajit gusht, fluksi i vizitorëve nga Kosova nuk njeh ulje. Megjithë heqjen e kontrollit doganor në kufirin e përbashkët, sërish fluksi i lartë i hyrjeve në Shqipëri gjatë kësaj fundjave, ka krijuar radhë të gjata kilometrike.
Siç konstatohet edhe nga pamjet, segmenti rrugor Morinë-Kukës deri në urën e Drinit të zi, ka pasur fluks të lartë trafiku, i cili ka nisur qenë në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune.
Sipas të dhënave nga autoritetet e policisë kufitare, vetëm gjatë orëve të mëngjesit të së shtunës në Shqipëri nga Kosova kanë hyrë rreth 40 mijë persona.
Ndërsa nga fillimi i muajit gusht e deri tani, numri i personave që janë futur nga Kosova drejt Shqipërisë i kalon 400 mijë vizitorë.
Ashtu si në vitet e kaluara, shtetasit e Kosovës përbëjnë përqindjen më të lartë të vizitorëve që zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet verore.
Lehtësirat e krijuara në kufi, gjatë fundjavave dhe festave zyrtare duket se kanë rritur akoma me shumë fluksin e lëvizjeve mes dy shteteve shqiptare. /A2/Telegrafi/