Site icon Telegrafi

Fluks vizitorësh në Ujërat termale të Bënjës në Përmet

Ujërat termale të Bënjës në Përmet, rreth 13 km larg qytetit të Përmetit, u frekuentuan fundjavën që lamë pas nga një numër i lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Gjirokastër bën të ditur se “Ujërat termale të Bënjës (Monument Natyre), janë padyshim destinacioni turistik kryesor për turistët që vizitojnë Përmetin dhe vlerat natyrore të tij”.

Sipas ADZM, Ujërat Termale të Bënjës dhe Kanioni i Langaricës, monumente natyre, janë destinacionet më të preferuara për të kaluar një fundjavë në Përmet.

Specialistët e AdZM Gjirokastër gjatë dy ditëve të fundjavës ndodheshin aty për të dhënë informacion dhe mbështetje.

Të njohura që në antikitet këto burime sulfurore, që dalin nga një çarje e thellë tektonike, janë të ndryshme e burojnë në të dyja anët e kanionit Lengarica.

Çdo burim zotëron veti terapeutike të ndryshme për kurimin e sëmundjeve të lëkurës, stomakut, veshkave, reumatizmës etj. Burimet e ujërave termale janë natyralë dhe derdhen në vaska të vogla të një bukurie të çmueshme në brendësi të të cilave është e mundur të mblidhet edhe baltë termale, e përshtatshme për trajnimet e lëkurës.

Ky vend i rrethuar nga një natyrë e pandotur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës. Përveç banjave termale atje gjendet edhe kanioni Lengaricës dhe Ura e Katiut. /Telegrafi/

Exit mobile version