Në portin e Vlorës, i dyti më i madh në Shqipëri, në muajin korrik të këtij viti ka pasur një fluks të lartë udhëtarësh.
Drejtori i portit të Vlorës, Ilir Banushi, tha sot për ATSH-në se “vazhdon të jetë i lartë numri i udhëtarëve që zgjedhin të udhëtojnë nëpërmjet Portit të Vlorës. Në port gjatë muajit korrik kanë hyrë 18,231 udhëtarë, 1,396 më shumë se viti 2022 ose 8 për qind më shumë”.
“Vetura kanë hyrë 3,858 ose 841 me shumë se viti 2022. Në përqindje janë 28 për qind më shumë. Rreth 75 për qind e hyrjeve janë të javës së fundit të korrikut”, tha Banushi.
Banushi vuri në dukje se “si total hyrjet dhe daljet janë 3534 udhëtarë më shumë se korriku i vitit 2022 ose 15 për qind me shumë dhe vetura janë 1,600 më shumë ose 37 për qind më shumë”.
Sipas tij, hyrjet janë rreth 50 për qind me 50 për qind shtetas shqiptarë e të huaj.
“Për sa i përket mjeteve të përpunuara 85 për qind e tyre janë automjete të huaja”, shtoi ai.
Banushi u shpreh se vetëm gjatë fundjavës që lamë pas në Portin e Vlorës kanë mbërritur me 3 tragete të linjës Vlorë-Brindisi 4,585 pasagjerë nga të cilët 2,075 janë shtetas të huaj, si dhe 1,061 automjete”.
Autoritetet portuale kanë punuar me intensitet të lartë për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve, ndërsa kanë marrë të gjitha masat për t’i shërbyer sa më mirë fluksit të pasagjerëve sidomos gjatë sezonit turistik.
Vlora gjithnjë e më shumë gjatë sezonit turistik kthehet në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operojnë edhe anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. /Telegrafi/