Telegrafi

Dyndje në qendrat shëndetësore në Tiranë, mjekja: 10-15 të infektuar me COVID-19 çdo ditë

Mjekja e familjes, Bruna Shiroka thotë se në dy javët e fundit ka pasur një trend në rritje të infektimeve me COVID-19 në Tiranë.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Shiroka u shpreh se në qendrën shëndetësore nr.3 në Tiranë, ka rreth 10-15 pacientë të infektuar në ditë.

“Në dy javët e fundit ka pasur një trend çdo ditë në rritje të pacientëve të cilën diagnostikohen me COVID. Ky numër është në rritje, vazhdon çdo ditë e më shumë. Dhe sot shihet i njëjti trend në ambientet e qendrës. Pacientë të infektuar me COVID, janë 10-15 në një mjek familje. Vetëm dje, kanë qenë 9 pacientë të infektime nga 12 testime, në qendrën ku jam”, theksoi ajo.

Shiroka nënvizoi se moshat e reja përbëjnë grupmoshën që dominon rastet e infektimeve si dhe ata të cilët nuk kanë krye asnjë dozë vaksine kundër COVID-19.

Ajo theksoi faktin se duhen vaksinuar nënat shtatzana, apo nënat e reja në mënyrë që fëmija të mos infektohet. /Euronews Albania/