Në fund të muajit mars të këtij viti, aktori dhe humoristi shqiptar, Florjan Binaj njoftoi se po largohej nga emisioni humoristik “Portokallia” pas 18 vitesh angazhim.
Ndonëse njoftimin e bëri përmes një statusi në llogarinë e tij në Instagram, së fundmi Binaj ka folur për më në detaje për largimin e tij në një intervistë në “News24”.
“Ka qenë një ndërthurje betejash, sfidash, sprovash, momente gëzimi, momente hidhërimi, momente dështimi. Unë nuk kam qenë kaq i mirë sa jam tani, askush nuk ka lindur i ditur, ka qenë një udhëtim që më ka mësuar shumë, kam pasur rreth meje njerëz që më kanë mbështetur, një prej tyre është Agron Llakaj që ka pasur besim te unë që prej fillimit, por ka pasur dhe njerëz që nuk më kanë mbështetur dhe unë sërish dua t’i falënderoj sepse më kanë bërë më të forte”, ka thënë aktori.
Tutje Florjani u shpreh largimi i tij kishte të bënte me të drejtat e autorit duke thënë se nuk kishte vullnet për të gjetur një zgjidhje.
“Largimi ka ardhur natyrshëm, sepse shumë gjërave nuk pati vullnet për t’i dhënë zgjidhje. Nuk dua të zbuloj detaje, por këto ‘gjëra’ nuk ishin teka por ‘gjëra’ që ligji shqiptar dhe ai ndërkombëtar i njeh”.
“Ikja ime nga ‘Portokallia’ nuk ka lidhje me protestat, as me drejtuesit, nuk kam pasur as presion nga qeveria, asgjë. Ka të bëjë vetëm me çështjen e të drejtave të autorit për të cilën do flas në një moment tjetër”, u shpreh ndër tjera Binaj. /Telegrafi/