Site icon Telegrafi

Florin Krasniqit i vjetërohet lënda edhe një javë

Në ditën kur Gjykata e Apelit konfirmoi vërtetësinë e pafajësinë për Rexhep Selimin e Visar Ymerin që akuzoheshin për shkaktim të lëndimit të lehtë trupor ndaj Bekim Haxhiut, kanë mbetur edhe pak ditë që lënda ndaj të akuzuarit tjetër të këtij rasti Florin Krasniqit të vjetërohet, ose të prek parashkrimin absolut.

Ish-deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje” nuk ka qenë i pranishëm në disa seanca të ftuara nga Gjykata në Prishtinë, ndërsa sipas avokatit të tij ndodhet jashtë vendit.

“I mbrojturi im nuk ndodhet në Kosovë dhe nuk ka mundur t’i përgjigjet ftesës së gjykatës”, tha avokati i Krasniqit Ndrec Dodaj.

Pikërisht kjo kishte bërë që procedura ndaj Florin Krasniqit të veçohej nga rasti ku të akuzuar ishin edhe Rexhep Selimi, lideri i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri dhe shoferi Besart Bujupi.

Rasti për të cilin akuzohet Florin Krasniqi, do të arrijë vjetrimin, ose parashkrimin absolut që nënkupton pushimin e procedurës ndaj tij më 28 qershor 2016.

KALLXO.com lidhur me këtë rast dhe veprimet e ndërmarra ka kontaktuar edhe me Gjykatën Themelore të Prishtinës, por nuk ka pranuar përgjigje.

Sipas aktakuzës, ishte ora 14:30 e 28 qershorit 2012 kur një debat në Kuvendin e Kosovës gjatë pauzës eskaloi dhe u shndërrua në konfrontim fizik mes deputetëve.

Gjithnjë sipas aktakuzës, deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, Rexhep Selimi, Florin Krasniqi dhe vozitësi Besart Bujupi filluan fjalosjen me deputetin e PDK-së Bekim Haxhiu dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve të lehta trupore sulmuan dhe goditën Haxhiun që në këtë rast gjyqësor është në cilësinë e të dëmtuarit.

Deputeti Haxhiu si pasojë e kësaj përfundoi me lëndime të lehta trupore në regjionin e fytyrës, të tilla që nga prokuroria u kualifikuan si lëndime të lehta trupore.

Për lëndim të lehtë trupor dënimi sipas Kodit Penal të Kosovës parashihet të jetë deri në një vit burgim. Sipas këtij kodi për një vepër që dënohet 1 vit, vjetrimi relativ ndodh brenda dy vjetësh, nëse gjatë kësaj kohe nuk fillon ndjekja penale.

Por në rastin e lëndimit të deputetit Haxhiu, vjetrimi ose parashkrimi relativ i lëndës është evituar me ngritjen e aktakuzës në vitin 2012.

Megjithatë, Kodi Penal ka paraparë edhe vjetrimin ose parashkrimin absolut kur ”ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit (ndalesa absolute mbi ndjekjen penale).

Në rastin e Florin Krasniqit parashkrimi (vjetrimi) absolut i lëndës ndodh më 28 qershor kur bëhen 4 vjet nga lëndimi trupor i Bekim Haxhiut.

Visar Ymeri dhe Rexhep Selimi tani janë shpallur të pafajshëm me vendim të formës së prerë lidhur me këtë rast.

Exit mobile version