Qyteti i Miami në Florida të SHBA-ve gjendet në pozitën më të keqe të mundshme, pasi uragani Irma që erdhi nga Oqeani Atlantik dhe kaloi nëpër ishujt Karaibe po i afrohet tokës amerikane.
Sipas autoriteteve amerikane, stuhia që ka marrë jetën e 18 personave në Karaibe, do ta godasë Floridan gjatë kësaj fundjave, duke bërë që shteti të lëshojë urdhër për evakuim të detyrueshëm të banorëve, transmeton Gazeta Metro.
Konsumatorët në Florida kanë vërshuar dyqanet për të blerë gjërat e nevojshme për ta përballuar sa më lehtë këtë uragan, i cili llogaritet si më i madhi ndonjëherë që është regjistruar në Oqeanin Atlantik.
Përveç Floridas, edhe shteti i Georgias është në pozitë të pafavorshme. Irma, që është stuhia e dytë e madhe që do ta godasë SHBA’në, pas uraganit Harvey, ka shkatërruar 90 përqind të ndërtesave në ishujt Karaibe.
Sipas parashikimeve, dëmi që do të shkaktojë uragani nëse godet Miamin do të kapë shifrën e 125 miliardë dollarëve.