Telegrafi

Florian Marku e zhvillon meçin e radhës në Ferizaj kundër rusit Sergey Klyuev

Florian Marku (Foto: Instagram/FlorianMarku)

Ylli shqiptar i arteve të përziera marciale, Florian Marku, do ta zhvillojë meçin e radhës në MMA më 14 shtator.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka njoftuar se kundërshtari i tij i ardhshëm, është rusi Sergey Klyuev.

Dueli do të zhvillohet në Ferizaj në sallën “Bill Clinton”, ndërsa kundërshtari i shqiptarit numëron gjashtë fitore nga shtatë meçe të zhvilluara.

“Me datë 14 shtator ndeshem në Ferizaj, Kosovë, kundër rusit Sergey Klyuev, i cili ka 6-1 të gjitha ndeshjet në organizata të mëdha, M-1 Global dhe Fight Nights Global”, ka shkruar Marku në njoftimin e tij.

Lexo po ashtu Lajmet për Florian Markun

Ai njëherësh ka pasur edhe disa fjalë për kritikët e tij, duke shkruar në Instagram:

“Ky sport është shkallë-shkallë për t’u ngjitur në UFC. Atje ku doni ju të më shihni nuk shkohet nga ndeshja e parë direkt me McGregor keni durim”.

“Unë kam dhënë jetën për këtë sport, pas gjithë atyre problemeve që kam pasur edhe flamurin tim e kam mbrojtur gjithmonë me krenari.

“Kam 94 ndeshje gjithsej dhe kam humbur katër herë me ‘kickboxerat’ më të mirë, kurse për MMA kam gjashtë ndeshje dhe për mua, mundja është diçka e re”.

“Së shpejti do të më shihni kush jam. Faleminderit të gjitha tyre që më përkrahin me zemër”, ka shkruar më tej Marku. /Telegrafi/