Të shtunën i shënoi gol klubit më të trofeshëm skocez, Celtic. Emri tij ishte përfolur shumë se cilës kombëtare do t’i bashkohet.
Por si duket, anëtari i skuadrës skoceze, Hibernian, Florian Kamberi ka vendosur t’i bashkohet kombëtares Shqiptare para Kosovës.
Sipas burimeve të RTV Dukagjinit pranë familjes së lojtarit, 24 vjeçari ka zgjedhur t’i bashkohet ekipit “Kuq e Zi”.
E zgjedhja e Florian Kamberit po sipas burimit të Radio Televizionit Dukagjini vjen pasi Kosova nuk ka shfaqur interes për lojtarin.
“Floriani disa herë ka deklaruar që pas shtatorit do t’i bashkohet njërës prej kombëtareve. Kombëtarja e Zvicrës e ka përcjellë gjatë gjithë kohës mirëpo nuk ka pasur hapa konkret, duke qenë të interesuar ta provojnë në ndeshje miqësore. Kombëtarja e Shqipërisë çdo herë ka qenë afër tij, duke pasur takime dhe thirrje”.
“Përderisa Kosova nuk është interesuar, njëherë ka qenë një telefonatë e shkurt dhe një takim me të ndjerin Fadil Vokrrin. Me Shqipërinë kemi pasur takime prapë këtë muaj dhe ata kanë shprehur gatishmërinë ta ftojnë Florianin për ndeshjet e nëntorit kundër Francës dhe Andorrës”.
“Floriani ka dhanë disa herë deklarata që është i hapur për t’iu bashkuar 3 kombëtareve; Kosovës, Zvicrës dhe Shqipërisë. Vetëm Kosova nuk është lajmërua. Por, për ne si familje, por edhe për vetë Florianin është e njëjtë të luash si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë”, thotë burimi ynë nga familja Kamberi.
Menaxheri i kombëtares së Kosovës, Bajram Shala për RTV Dukagjinin thotë se ai e ka kontaktuar personalisht sulmuesin në vitin 2018, por vetë Kamberi nuk ka qenë i gatshëm ta pranoj ftesën e Kosovës.
“Sa për të qenë korrekt me opinionin dhe tifozët e Kosovës ne duhet të themi se kemi kontaktuar Frorian Kamberin. Ka mbi një vit që unë kam pasur direkt kontakt me Flarianin dhe i kemi dhënë afat derisa ai të jetë i gatshëm. Ai nuk është lajmëruar më te ne deri kur ka marrë një email nga klubi i tij se ku deklarohet se është i gatshëm të luaj për një kombëtare”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bajram Shala.
Në 43 ndeshjet e zhvilluara në total sezonin e kaluar me Hibernianin, Florian Kamberi ka arritur të realizoj 13 gola dhe dhuroj 7 asiste ndërsa në këtë sezon ka arritur të shënoi vetëm 2 gola me fanellën e klubit skocez. /RTV Dukagjini/Telegrafi/