Site icon Telegrafi

Florentino Perez thyen heshtjen dhe flet për situatën dhe vendimin e Mbappes

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka folur për programin spanjoll El Chiringuito të mërkurën në mbrëmje dhe premtoi që në fillim të tij të mos i shmanget asnjë pyetjeje. Për meritë të tij, ai iu përgjigj çdo gjëje të hedhur në rrugën e tij.

Natyrisht, çështja kryesore për të cilën u pyet ishte Kylian Mbappe. Saga e transferimit të vitit mori një kthesë të papritur pasi sulmuesi francez zgjodhi të qëndronte në Paris Saint-Germain në vend që të bashkohej me Real Madridin. Ishte një lëvizje që shkaktoi shqetësime në të gjithë sferën e futbollit, e në veçanti te Los Blancos.

Pyetja e parë që iu bë Perez për këtë temë ishte nëse Mbappe e kishte tradhtuar, por presidenti i Real Madridit refuzoi ta quaj tradhti vendimin e tij.

Lexo po ashtu Mbappe: Nuk ka përfunduar ëndrra për t’iu bashkuar Real Madridit

“Ai nuk më tradhtoi. Ai e transmetoi ëndrrën e tij për të luajtur te Real Madrid. Dhe është e vërtetë. Gushtin e kaluar PSG nuk donte të shiste. Pritëm një vit dhe ai vazhdonte të thoshte të njëjtën gjë. Pesëmbëdhjetë ditë përpara se situata të ndryshonte për shkak të presionit politik dhe faktorit ekonomik”, ka thënë fillimisht Perez.

“Ai bëri atë që mendonte se ishte më e lehtë. Ai ndryshoi. Nuk ka nevojë ta rishqyrtosh. Si rezultat i presionit që kishte për të ndryshuar ëndrrat e tij… ai është shumë i ri, presioni na prek të gjithëve, por më shumë të rinjtë. Nuk kishte kuptim që Presidenti i Republikës, Emmanuel Macron po e thërriste atë… Kjo ndikoi shumë tek ai, padyshim”.

Lexo po ashtu Presidenti i Francës, Macron e pranon më në fund: Kam pasur një bisedë me Mbappen para se të vendoste për të ardhmen e tij

“Të nënshkruash atë pas tre vjetësh? Nuk e di… në hapësirën e 3 viteve, ne të gjithë mund të jemi tullac, çdo gjë mund të ndodhë”.

“Ky Mbappe, nuk është Mbappe. Një lojtar që refuzon të bëjë një akt sponsorizimi me kombëtaren e tij, nuk e dua. Mendova se ai kishte një ëndërr, por ndonjëherë ato ëndrra nuk mund të realizohen për shkaqe të jashtme”, përfundoi presidenti i Real Madridit. /Telegrafi/

Exit mobile version