Florent Hadergjonaj është lojtari i fundit i Përfaqësueses së Kosovës që ka reaguar pas humbjes nga Maqedonia e Veriut dhe eliminimi nga Liga e Kombeve.
Kosova u mposht me rezultat të ngushtë 2-1 nga Maqedonia e Veriut në ndeshjen gjysmëfinale të “Play-Offit” në Ligën e Kombeve.
Goli i vetëm në këtë përballje nga Dardanët u shënua nga Hadergjonaj, i cili me parabolë befasoi portierin kundërshtar.
Kjo humbje ka dëshpëruar të gjithë, nga lojtarët e deri tek tifozët, ndërsa dëshpërimi i madh ka bërë që të ketë komente dhe kritika të ndryshme.
I fundit që ka reaguar pas këtyre kritikave është pikërisht shënuesi Hadergjonaj që beson se do të rikthehen edhe më të fortë.
“Do të rikthehemi më të fortë. Forca Kosova jonë e shenjtë”, ka shkruar Hadergjonaj në profilin e tij në Facebook.
Ndryshe, Hadergjonaj është edhe në garë për golin më të mirë të javës në Ligën e Kombeve. /Telegrafi/