Site icon Telegrafi

Florent Hadërgjonaj te Kosova, Bunjaku sqaron gjithçka

Florent Hadërgjonaj është duke “luajtur” me Kosovën. Ka kaluar një vit që nga pranimi i Kosovës në UEFA e në FIFA dhe futbollisti kosovar nuk i ka dhënë ende përgjigje Përfaqësueses.

Arsyetimi i tij i vazhdueshëm ishte se është i fokusuar tek ekipi i tij, Ingolstadt, shkruan sot Zëri.

Kur të gjithë prisnin që mbrojtësi i djathtë t’i bashkohet ekipit Verdhekaltër për ndeshjen e 11 qershorit me Turqinë, përzgjedhësi Albert Bunjaku konfirmon zyrtarisht se për këtë ndeshje nuk do të mundë të llogarisë në futbollistin e rritur në Zvicër.

Në qershor kampionati gjerman do të jetë i përfunduar, prandaj arsyet e tij më nuk po pinë ujë.

“Sa i përket Florentit, kam pasur bisedë me përfaqësuesin e lojtarit. Klubi i tij është në fazën finale të garave dhe në një pozitë shumë të vështirë, ku në fakt gjasat për mbijetesë janë shumë të vogla dhe me këtë pra varet edhe e ardhmja e Florentit”, thotë fillimisht Bunjaku.

“Pra, për lojën kundër Turqisë do të jetë e pamundur ta fillojmë procesin. Por, premtimi është se deri në lojën kundër Kroacisë më 2 shtator do të ketë një qëndrim përfundimtar, që shpresoj të jetë Kosova natyrisht”, vazhdoi ai.

Tifozët kosovarë janë lodhur duke pritur dhe në mendjen e secilit sillet mundësia që lojtari është duke e pritur Zvicrën. Por, a e frikëson ky fakt trajnerin e Kosovës?

“Ne nuk mund të punojmë dhe të jetojmë me ndjenja frike, por me vizion dhe qëllim të përbashkët që është krijimi i një kombëtare të fuqishme për kualifikimet e ‘Evropianit 2020’. Edhe zemra duhet të rrahë për shtetin që dëshiron ta përfaqësosh. Ne duhet të shpresojmë, por normalisht duhet po ashtu ta respektojmë çdo vendim, ashtu siç edhe kemi vepruar deri më tash. Topi tani është tek ai”, shprehet Bunjaku.

Sipas tij, Hadërgjonaj është një lojtar që i përputhet mënyrës së lojës së Kosovës dhe profili i lojtarit që e kërkon trajneri me banim në Suedi.

Bunjaki thekson se ka nisur gjithçka nga zeroja dhe se është afër ta krijojë një Kombëtare shumë të fuqishme, e cila nuk varet nga individët, por nga kolektivi.

Sa i përket Besart Berishës, ai beson se sulmuesi do të jetë pjesë e Kosovës për duelin me turqit, ndërsa shpreson që Përfaqësueses t’i bashkohet edhe Loret Sadiku, i cili e ka angazhuar avokatin dhe është në pritje.

Exit mobile version