Telegrafi

Florent Hadergjonaj i bashkohet përfundimisht Kosovës: Jam një Dardan më shumë, gati për fanellën më të bukur në botë

Florent Hadergjonaj ka bërë publik vendimin e tij dhe është gati për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës.

Përfaqësuesja e Kosovës tani në radhët e veta do ta ketë një yll më shumë, kjo pasi Florent Hadergjonaj është gati me të gjitha dokumentacionet për t’iu bashkuar Dardanëve.

Është vet mbrojtësi i krahut të djathtë, i cili ka bërë publik vendimin e tij me anë të rrjeteve sociale, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Hadërgjonaj dhe Toma, prurjet e reja te Kosova

“Përshëndetje të dashur miq. Dua që të ju njoftoj se tani sapo kam marrë pasaportën e Kosovës dhe jam gati që të luaj me fanellën më të bukur në botë”, ka shkruar fillimisht Hadergjonaj.

Granit Xhaka dhe Hadergjonaj duke u përqafuar gjatë një ndeshje në Ligën Premier (Foto: Justin Setterfield/Getty Images/Guliver)

“Dëshira ime gjithmonë ka qenë të luaj për vendlindjen time, mirëpo është dashur të vije momenti i duhur”.

“Jam grumbulluar edhe nga Zvicra nga të gjitha grupmoshat deri në ekipin e parë, por atje e kanë pasur me dije se do të luaj për Kosovën dhe nuk kam pranuar të luaj ndeshje zyrtare”.

“Nga tani, unë Florent Hadergjonaj jam një Dardan plus për trajnerin Bernard Challandes dhe do të jap gjithmonë maksimumin për Kosovën tonë”, mbyll shkrimin e tij mbrojtësi i Kosovës.

24-vjeçari i lindur në Langnau të Zvicrës ka bërë karrierë me skuadra të njohura si Thun, Luzern, Young Boys, Ingoldstad dhe aktualisht te Huddersfield Town. /Telegrafi/

Hadergjonaj dhe kryetari i FFK-së Agim Ademi