Telegrafi

Florent Abrashi tregon se si në luftë familja e tij gabimisht dëgjoi emrin e vëllait, në listën e të rënëve të UÇK-së

Në një intervistë të fundit në emisionin “Gjesi”, këngëtari i njohur Florent Abrashi ka bërë një rrëfim shumë prekës dhe personal lidhur me periudhën e luftës në Kosovë dhe ndikimin që ajo pati mbi familjen e tij.

I ndjeshëm dhe me një ton që tronditi audiencën, Florenti tregoi vështirësitë dhe ankthin që përjetoi familja e tij gjatë atyre viteve të errëta.

Djali i madh i familjes Abrashi, Fitimi, kishte zgjedhur të bashkohej me radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë pasiguri dhe frikën se çfarë mund të ndodhte me të në luftë.

Ngjarja e rëndë për të cilën artisti nga Gjakova rrëfeu në “Gjesi” ishte një moment tragjik i ngatërrimit të emrave gjatë një transmetimi me informatat e ushtarëve që kishin rënë në luftë nga kanali i RTSh-së.

Florent Abrashi (Foto: Florent Abrashi/Facebook)

Në një moment të tillë, familja Abrashi ishte përballur me lajmin e rëndë kur gabimisht dëgjoi emrin “Fitim Abrashi” në transmetim, në vend të “Fitim Gashi”. Kjo ngatërresë u bë shkak për një moment paniku dhe tmerri për familjen që menduan se kishin humbur djalin e tyre.

Fituesi i “The Voice of Albania” shpjegoi se ai moment ishte përjetuar shumë rëndë nga të gjithë familjarët dhe si ato momente kishin ndryshuar gjithçka për ta.

Rrëfimi i tij në emision shërbeu si një kujtesë e hidhur e atyre viteve të luftës në Kosovë dhe pasojave afatgjata emocionale që ajo ka lënë tek ata që kanë mbijetuar. /Telegrafi/