Grupi “Florence + The Machine” ka publikuar këngën e re me titull “Hunger”, përmes të cilës e ka paralajmëruar albumin e ri.
Kënga është dhënë premierë në kuadër të programit muzikor të BBC 1 Radio, ndërsa në YouTube është publikuar edhe videoklipi.
“Kjo këngë flet për mënyrën se si e kërkojmë dashurinë në gjërat që ndoshta nuk janë dashuri, si edhe për atë se si përpjekjet për të mos u ndier të vetmuar, mund të na izolojnë akoma më shumë”.
“Jam e bindur se shumëkush ndihet kështu, por nuk janë të gatshëm që t’ia pranojnë vetes. Nganjëherë, disa gjëra nuk mund t’i thuash, por mund t’i këndosh”, ka thënë Florence.
Albumi i katërt i “Florence + The Machine” do të lansohet më 29 qershor, ndërsa do të titullohet “High As Hope”.
Fansat do ta kenë mundësinë t’i dëgjojnë dhjetë këngë të reja, të cilat janë realizim i Florence Welch.
Ajo kishte nisur t’i shkruante këngët në Londër, ndërsa i kishte përfunduar në Los Angeles, ku për produksionin e albumit i ka ndihmuar Emile Haynie.
“Albumi i ri është pasqyrim i personit që jam aktualisht dhe ndihem si artiste e vërtetë. Thjesht ndihem shumë mirë me veten”, ka shtuar Florence. /Telegrafi/