Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Athletic Bilbaos, ku dy nga pikat kishin të bënin me regjistrimin e Dani Olmos, i cili u transferua këtë verë dhe Nico Williams që është lidhur shumë me një transferim në Camp Nou.
Flick po shkon në ndeshjen e tij të dytë të sezonit, duke kërkuar fitoren e tij të parë në shtëpi si trajner i Blaugranëve.
Kundërshtari i tyre, Athletic Bilbao, nuk do të jetë një sfidë e lehtë, por pjesa më e madhe e javës është mbizotëruar nga bisedat për transferime.
Për një gjë të tillë ka folur edhe vet Flick, i cili pret ta ketë gati yllin spanjoll, Olmo, i cili këtë verë u transferua nga RB Leipzig për rreth 60 milionë euro.
✨𝐷𝑎𝑛𝑖 𝑂𝑙𝑚𝑜✨ pic.twitter.com/7ZgvoQCeYa
— FC Barcelona (@FCBarcelona) August 21, 2024
“Nuk është puna ime të flas për regjistrimet. Më pëlqen shumë puna e Olmos, ai është gati të luajë. Shpresoj të jetë gati për nesër”, ka thënë fillimisht Flick.
“Ai është një lojtar fantastik. E shoh atë në stërvitje, nën presion, para portës dhe ai është absolutisht fantastik. Për ekipin, është pozitive, kështu që shpresojmë që ta shohim atë”.
Tutje, Flick u pyet edhe për yllin e Athletic Bilbaos, Nico Williams, i cili është lidhur shumë me një transferim te Barcelona, por trajneri gjerman refuzoi të flasë për situatën e tij.
“Nico Williams? Nuk do të flas për lojtarë nga klube të tjera. Jam i sigurt se Kounde do të ketë një lojë të shkëlqyer kundër tij”, përfundoi trajneri i Barcelonës. /Telegrafi/