Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë dhe lideri i Rilindjes Demokratike Shqiptare (RDK), Vesel Memedi, sot ka reaguar ndaj lajmeve që dolën ditë me parë se i është marrë telefoni në lidhje me zbardhjen e plotë të terrorit të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë. Gjatë reagimit të tij, Memedi krahas asaj që ka përshëndetur aksionin e ndërmarrë ditë më parë, ka treguar edhe pse ka heshtur gjatë gjithë kësaj periudhe sa emri i tij përshkoi titujt e lajmeve.
“Kam heshtur qëllimisht, që t’i lihet hapësirë organeve të drejtësisë ta bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, pa kurrfarë pengese nga jashtë. Edhe pse emri im në këtë ngjarje u përfshi pa të drejtë, më gëzoj fakti që erdhi koha që për fajësinë apo pafajësinë e secilit prej nesh, të flasin organet kompetente, e jo rrugaçët dhe shpifësit. Ndjehem krenarë që në asnjë mënyrë me asnjë fakt, nuk jam i përfshirë në kurrfarë aktiviteti kundërligjor dhe pres që organet e drejtësisë edhe publikisht ta vërtetojnë pafajësinë time, që bashkë me anëtarët besnik të RDK-së dhe familjarët e dashamirët e mi, të ndjehemi edhe më krenar”, shkruan ndër të tjerash në reagimin e tij Memedi.
Ai ka bërë thirrje deri te të gjithë qytetarët që të mos kenë frikë nga organet e drejtësisë dhe të njëjtët t’i përkrahin këto procese e të bashkëpunojnë me institucionet./Telegrafi/