Telegrafi

Flet vëllai i viktimës nga Gjakova: Kushëriri i gruas së vëllait qëndroi në shtëpinë tonë para se ta kryente krimin

Sot rreth orës 03:00 të mëngjesit ka ndodhur një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Bardhaniq të Gjakovës, ku si pasojë e therjes me thikë një person ka vdekur, ndërsa dy të tjerë janë plagosur.

Bëhet e ditur se i dyshuari, shtetas i Shqipërisë ka vrarë bashkëshortin e kushërirës dhe ka lënë të plagosur gruan dhe djalin e viktimës.

Krist Mula, vëllai i viktimës thotë se i dyshuari kishte qëndruar disa ditë në shtëpinë e viktimës.

“Kam njoftuar policinë për ngjarjen, ajo ka ardhur më vonë dhe ka gjetur vëllain pa shenja jete. Kryesi i rastit ka ikur. Ai ka qenë duke qëndruar si mysafirë të vëllai. Më duket ka qëndruar katër apo pesë ditë. Ka fjetur në katin e dytë bashkë me familjen tonë tamam si familjarë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Krist Mula.

I dyshuari është identifikuar nga Policia e Kosovës dhe ai është shtetas i Shqipërisë.

Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin edhe drejtori i Policisë Rajonale të Gjakovës, Lumni Graishta.

“Rreth orës 03:00 të datës 07.07.2020 Policia në Gjakovë është informuar për një rast vrasje në fshatin Bardhaniq. Të gjitha njësitet relevante si njësitet patrulluese, hetuesia, forenzika, prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor i janë përgjigj vendit të ngjarjes. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, ndërsa dy personave tjerë iu është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore. Njëri nga të plagosurit është dërguar për në QKUK në Prishtinë”, deklaroi Graishta./RTV Dukagjini/Telegrafi/