Telegrafi

Flet talenti i madh kosovar: Kështu arrita te një klub si Milani

Ismet Sinani është një nga talentet më të mëdhenj shqiptarë kohët e fundit, teksa aftësitë e tij e kanë dërguar tek Milani.

Ismeti është vetëm 17 vjeç, por ka një potencial të madh në këmbët e tij teksa po vesh fanellën e një ekipi legjendar në Evropë.

Për të ardhmen ai mund të ketë një dilemë se kë përfaqësuese do të zgjedhë, megjithëse është një kuqezi për momentin.

Në një intervistë për “tesheshi.com”, talenti nga Kosova tregon se kush e transferoi atë tek Milani.

“Unë jam pjesë e familjes madhe të ekipit Milan qe 4 vite të plota. Që nga lindja jetoj në Itali, ndërsa prindërit i kam nga Celina, fshat afër Rahovecit të Prizrenit. Hapat e para në futboll unë i fillova në ekipin Montebelluna të Venecias”.

Nga stërvitja me ekipin e parë të Milanit

“Pas paraqitjeve të mia të mira dhe falë talentit që ma ka dhuruar Zoti, ekipi i Milanit me drejtorin e tyre, Galianin shfaqen interes për mua. Në ndërkohë kisha edhe oferta tjera, nga Interi dhe Juventusi.”

Ndërkohë, Ismet Sinani tregon edhe për kontratën që ka nënshkruar për kuqezinjtë e Milanos, si edhe me sponsorat.

“Kam 4 vite që jam pjesë e Milanit. Para një viti kam nënshkruar kontratën 3-vjeçare si futbollist profesionist. Në ndërkohë kam nënshkruar kontratë edhe me Adidasin”, ka thënë Sinani.