Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka janë dy lojtarët më të përfolur për momentin në Kampionatin Botëror Rusia 2018.
Dy futbollistët shqiptarë shënuan gola për t’i gjunjëzuar serbët në fitoren e Zvicrës 2-1.
Por festimi i tyre me shqiponjë ka tërbuar serbët të cilët kanë bërë ankesë në FIFA, e shtëpia më e madhe e futbollit në botë ka hapur procedurë disiplinore.
Xhaka, Shaqiri por edhe Lichtsteiner rrezikojnë të dënohen me dy ndeshje moslojë dhe me një shumë prej 5000 frangave zvicerane.
E për këtë temë ka folur edhe Presidenti i lojtarëve profesionist në Zvicër, Lucien Valloni.
“Ne i konsiderojmë këto festime absolutisht të ligjshme. Ato nuk kishin të bëjnë me politikën apo me mosrespektimin e kundërshtarit”, tha Valloni për Blick.
Tutje Valloni ka thënë se Xherdani dhe Graniti kanë festuar si shqiptarë dhe kjo është mëse normale.
“Ata festuan me të drejtë, u gëzuan si shqiptarë dhe kjo gjë nuk është ndonjë mos respekt për kundërshtarin”.
“Shqiponja është shpezë që identifikon shqiptarët dhe këta dy lojtarë gjithashtu janë shqiptarë”, tha Valloni.
Tutje presidenti i futbollistëve profesionist në Zvicër tha se nëse ndonjëri nga lojtarët do të bënte kryqin e flamurit zviceran nuk do të bëhej kaq shumë zhurmë.
“Nëse Xhaka apo Shaqiri do të bënin kryqin e Zvicrës me duart e tyre nuk do të diskutohej fare kjo gjë”.
“Një gjest që simbolizon përkatësinë e një vendi nuk mund të jetë politikisht i motivuar dhe duhet të konsiderohet absolutisht i ligjshëm, përndryshe edhe himni kombëtare dhe flamuri para ndeshjeve do të duhej të ndaloheshin”.
Ai ka vazhduar të mbrojë yjet tanë duke thënë se ata kanë të drejtën e lirisë së shprehjes.
“Shaqiri dhe Xhaka kanë të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë është e garantuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilën FIFA është e përkushtuar ta zbatojë edhe me statutet e saj. Gjithashtu në këtë konventë përfshihen edhe mënyrat e festimit si shprehje gëzimi dhe krenarie”, ka përfunduar Valloni.
Ndryshe FIFA gjatë ditës së sotme do të marrë vendimin përfundimtar nëse do të dënohen dy lojtarët tanë dhe kapiteni Lichtsteiner i cili gjithashtu bëri shqiponjën. /Telegrafi/