Kanë kaluar pothuajse dy vite nga fillimi i punimeve për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, në bazë të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur më 25 gusht 2015, mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Mirëpo, përurimi i revitalizimit të kësaj ure që do të duhej të bëhej në vitin 2017 ende nuk ka ndodhur.
Për shkak të zhvillimeve në veri, në prill të vitit 2017, kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, kishte sjellë vendimin për ndërprerjen e punimeve afër urës së lumit Ibër, pasi kishte kërkuar nga organet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë që të krijojnë ambient të sigurt për qytetarët.
Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka thënë për Telegrafin se presin që marrëveshjet e arritura brenda dialogut, duke përfshirë edhe revitalizimin e urës të zbatohen plotësisht.
“Ashtu si me të gjitha marrëveshjet e tjera të arritura brenda dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, BE pret gjithashtu që marrëveshja për urën e Mitrovicës të zbatohet plotësisht pa vonesa të mëtejshme. Diskutimet e ardhshme në nivelin e negociatorëve kryesorë duhet të kontribuojnë në avancimin e mëtejshëm të zbatimit të plotë të kësaj marrëveshjeje”, thuhet në njoftimin e zyrës së BE-së.
Telegrafi është munduar vazhdimisht të marr një prononcim nga kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq se si janë duke shkuar punimet në veri, mirëpo ai nuk i është përgjigjur telefonatave.
Ndërkaq, drejtoresha e Administratës në Komunën veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq, në një prononcim për Telegrafin tha se nuk është e përfshirë në këtë projekt pasi është çështje politike, por ajo tha se punimet vazhdojnë.
“Mirë është që punimet vazhdojnë”, ka thënë Hoxhiq për Telegrafin.
Ndryshe, projekti i financuar Bashkimi Evropian për revitalizimin e urës kryesore në Mitrovicë ka nisur në vitin 2016, me vlerë prej 1 milion e 45 mijë euro./Telegrafi/