Telegrafi

Flet pak minuta para arrestimit, importuesi i mishit belg, Anton Jupa (Video)

Anton Jupa, pronar i kompanisë “Euro Ida” ka folur rreth skandalit të mishit pa afat dhe për raportimet në media kosovare dhe belge për mishin e importuar nga Belgjika.

Pronari i kompanisë “Euro Ida” e ka pranuar se ka importuar mish nga kompania belge, “Vivebe”, por këmbëngul se nuk ishte mishi i saj ai që u asgjësua në vitin 2016.

Ai në një intervistë për KALLXO.com gjithë përgjegjësinë për dyshimet që janë ngritur e hedh tek organet kompetente, pasi sipas tij i tërë importi është bërë me letra dhe ka kaluar nëpër të gjitha procedurat doganore.

“Ne jemi të pafajshëm i kemi dokumentet, dudat i kemi, kemi certifikatat të AVUK-ut që i kanë kontrolluar dhe e kanë lejuar”, ka thënë Jupa.

Në këtë intervistë Jupa për herë të parë shpalosë detaje të asgjësimit të rreth 20 mijë kilogram mish në vitin 2017, që po ashtu u importua nga Belgjika.

Ai ka dhënë detaje edhe për mishin me afat të skaduar që iu zu në depot e tij, pas një aksioni të Prokurorisë së Shtetit, i cili do të transmetohet në “Drejtësia në Kosovë”.

Anton Jupa e ka pranuar se në depot e kompanisë së tij Policia dhe Inspektorët e AVUK-ut kanë gjetur dy paleta mish të pulës me afat të skaduar.

Sipas tij, ai mish ka qenë destinuar për përpunimin dhe prodhimin e sallamit. Ai e bënë fajtor Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës për skadimin e afatit të këtij mishi.

“Afati i ka skaduar në frigon tonë, sepse malli ka qenë i bllokuar për shkak të analizave. Analizat nuk kanë ardh në kohë dhe ato zakonisht vonohen një javë, deri në një muaj, por kësaj radhe janë vonuar më shumë. I kam thirrur inspektorët dy apo tre herë, dhe nuk kanë ardhur. Dhe nuk e kam paramenduar që u kanë me afat të shkurtë. E dijmë që ka tre muaj, mirëpo nuk e kemi ditur që afati i ka skaduar”, ka treguar Anton Jupa.
Raportimet e mediave të Belgjikës se mishi i importuar në Kosovë nga kompania “Euro Ida” ka qenë 12 vjet i vjetër, pronari i Anton Jupaj ka quajtur shpifje.

Për më shumë ndiqeni intervistën e tij pak minuta para arrestimit të tij.