Site icon Telegrafi

Flet miku i kërcyesit të zhdukur tek Ura e Fshejtë (Video)

Ndërkohë që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës po vazhdojnë ta kërkojnë trupin e Sali Gërqinës, një mik i tij tregon momentet kritike të ngjarjes së djeshme.

“Dje kishim ardhë për peshk. Ai ishte në një tavolinë më poshtë dhe mu lut njëherë që ta dërgoj te ura me veturën time, por shoktë që i kishte në tavolinë nuk më lanë sepse thanë që po don me kcy prej urës dhe kishte pirë pak”, tha Fatmir Bejra.

Më tej, Bejra tregon se si e kaloi me barkën e tij Sali Gërqinën matanë lumit.

Lexo po ashtu Një person zhduket pas hedhjes në ujë tek Ura e Fshejtë

“Ai mu lut që ta marr me barkë që të kalonte andej lumit, mirëpo edhe nga barka ra, u rrëzua dhe dul not. Ishte shtrirë nja 5 minuta në breg atje dhe pastaj ka vazhduar përpjetë. Ne po zinim peshk. Pas 15 minutave kam dëgjuar një krismë shumë të keqe, atje lart pas urës, te shkëmbi. Ai e ngriti kokën për 5 sekonda dhe u zhyt, nuk doli më. Unë bërtita që të lajmëroj dikë sepse dikush nuk po del prej ujit dhe vazhdova me barkë drejt. Kërkuam dy a tri herë por ishte e kotë”, tha Bejra i emocionuar.

Ndërsa, rreshteri Albion Çollaku nga njësia e kërkim-shpëtimit e FSK-së tha për KALLXO.com se kërkimet kanë filluar qysh dje por deri më tani nuk ka pasur ndonjë rezultat.

Lexo po ashtu Nuk ka asnjë gjurmë për kampionin e kërcimeve, vazhdojnë ende kërkimet tek “Ura e Fshejt”

“Njësia jonë është informuar dje rreth orës 6:30 të mbrëmjes së djeshme që dyshohet se një person është hedh këtu në sipërfaqen e ujit. Në bazë të informacioneve që kemi është ra, është pa njëherë dhe më pas është zhdukur, nuk është parë më fare”, tha Çollaku.

Më tej eprori i FSK-së tregoi për operacionin e djeshëm të kërkim-shpëtimit.

“Njësia jonë me të marrë urdhrin është nisur në vendin e ngjarjes, rreth orës 8:00 njësia jonë ka filluar me operim në vendin ku është dyshu që ka ra viktima dhe nga ora 8:30 deri në ora 10:30 në mbrëmje kemi bërë kërkimin në vendin e dyshuar. Gjatë asaj kohe nuk kemi hasur në viktimën. Në ora 10:30 e kemi përfundu misionin për ditën e djeshme për shkak të errësirës”, tha Çollaku.

Rreshteri i FSK-së tregoi se sot rreth orës 9:15 ka filluar sërish operacionin e kërkimit të viktimës. /KALLXO.com/

Exit mobile version