Site icon Telegrafi

Flet Lavdim Peci, asamblisti i vetëm shqiptar në Zveçan (Video)

I rrethuar nga 18 asamblistë serbë, Lavdim Peci është asamblisti i vetëm shqiptar në komunën e Zveçanit. Ai përfaqëson tri fshatra malore të kësaj komune, Kelmend, Boletin dhe Zhazhë.

Asamblisti Peci, që përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje, është edhe zëvendëskryesues i asamblesë komunale. Shumë shpesh, ai drejton mbledhjet e Kuvendit Komunal dhe këtë thotë se e bënë në gjuhën shqipe dhe serbe.

Raportet me kolegët e tij serbë, Lavdim Peci thotë se janë të shkëlqyeshme dhe se asnjëherë nuk ka pasur probleme.

Punësimi i banorëve të fshatrave shqiptare të Zveçanit, janë prioritet në punën e tij si asamblist.

“Çdo gjë, mundimi im, është që të bëj shumë që të punësoj njerëzit. Thuaja se 6 ose 7 veta prej kur kam hyrë që 6 ose 7 muaj janë punësuar. Këtu ka varfëri të madhe. Me ndihmë sociale i kemi të tri fshatrat. Mjeku i përgjithshëm u mungon shumë. Të gjithë janë të sëmurë. Diku 80 përqind e të moshuarve janë të sëmurë”, thotë Lavdim Peci.

Banorët e këtyre fshatrave tregojnë se përballen me probleme të shumta. Haki Kelmendi nga fshati Kelmend, që është afër fshatrave Boletin dhe Zhazhë, thotë se problemi me ujërat e zeza shfaqet çdo herë që bie shi.

“Krejt ky fshat këtu ka problem me kanalizim, ujërat e zeza. Ujërat e zeza dalin nëpër oborre, nëpër ara. Nuk kanë bërë zgjidhje. Unë kam dëgjuar që projekti ka qenë të ndërtohet, por këtu nuk është ndërtuar asgjë”, thotë Haki Kelmendi.

Ladim Peci që nga paslufta punon edhe me minibusin e tij edhe si taksist. Që 18 vjet, tri herë në ditë, ai bartë banorët e kësaj ane në relacionin Mitrovicë-Zhazhë-Zveçan.

Në vitin 2012, ai vendosi që të bëhej pjesë e politikës dhe t’i bashkohet një subjekti politik. Këtë e bëri, thotë ai, për të punuar për banorët e kësaj ane edhe pse thotë se nuk ka përkrahje fare nga Qeveria e Kosovës.

“Për besë, nuk jam marr kurrë me politikë deri më 2012-2013. Kam hyr, e kam vendos të hyj (në politikë). E kam pa që nuk po shkon në rregull. Kam vendos të hyj të punoj për të gjithë njëjtë. Edhe nuk ka para që më korrupton”, thotë Peci.

Lavdim Peci dhe banorë të tjerë të këtyre fshatrave, thonë se janë të shqetësuar me idenë për ndryshim kufijsh. Ata thonë se nuk i ka pyetur askush nëse duhet të bëhet një gjë e tillë.

Komuna e Zveçanit që është në pjesën veriore të Kosovës ka mbi 10 mijë banorë. Kjo komunë ka 35 fshatra, dhe tre prej tyre janë të banuara kryesisht me shqiptarë./rel/Telegrafi/

Exit mobile version