Telegrafi

Flet kryesuesi i shkarkuar në Kuvendin Komunal në Mitrovicë

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë, Jeton Ujkani në një prononcim për Telegrafin ka folur për vendimin që ka marr Kuvendi në një mbledhje urgjente për shkarkimin e tij.

Ujkani tha se gjatë ditës kanë mbajtur një seancë të rregullte ku në atë seancë kryetari, Agim Bahtiri ka kërcënuar asamblistët si dhe vet Ujkanin.

Sipas tij, pas seancës së rregullt, pas një ore kryetari Bahtiri pa dijeninë e tij ka thirrur një mbledhje urgjente ku edhe është marr vendimi për shkarkimin e tij.

Ujkani potencoi se tash do të mbetet të shihet se si do ta vlerësoj Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), këtë vendim.

“Ata e kanë mbajtur një mbledhje urgjente, pas mbajtjes së një seance të rregullt ku ishim të pranishëm të gjithë. Unë nuk kam marr ftesë për këtë seancë të jashtëzakonshme. Kjo mbetet të shihet nga MAPL-ja, se sa do të jetë i vlefshëm ky vendim”, ka thënë Ujkani.

I pyetur se sipas tij cila mund të jetë arsyeja e shkarkimit të tij, ai tha: “Nuk ka pas arsye pse jam shkarkuar, ndoshta e vetmja arsye është që unë jam bërë kryetar i AAK-së në Mitrovicë e cila po rritet. E kanë pa rrezikshmërinë e rritjes së AAK-së dhe për këtë arsye kanë marr këtë vendim për shkarkimin tim në një seancë të paqartë ku unë nuk isha i pranishëm, pasi s’kam marr ftesë dhe as nuk kam qenë në dijeni për një seancë të tillë. Tash mbetet të shihet si dhe për kërcënimet që kryetari iu ka bërë asamblistëve kërcënime dhe ndaj meje gjatë seancës së rregullt”, u shpreh Ujkani për Telegrafin.

Ndryshe, në  një mbledhje urgjente me një pikë të vetme të rendit të ditës, të thirrur nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri u morë vendimi për shkarkimin e kryesuesit të kuvendit komunal, Jeton Ujkani. /Telegrafi/