Site icon Telegrafi

Flet Iljasa Zulfiu, heroi i Dukagjinit në Ligën e Konferencës: Golat e tij iu dhanë klinasve kualifikimin tutje

Sulmuesi anësor nga Miratoca e Preshevës, Iljasa Zulfiu i njohur ndryshe edhe si “Caja” ka folur në një intervistë për Telegrafin, ku ka treguar ndjenjat e tij për kalimin historik të Dukagjinit në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, por edhe për ambientimin e tij me klubin klinas, ndeshjen e radhës në Evropë ndaj Rijekës dhe ëndrrën e tij të madhe.

Dukagjini ka arritur të sigurojë kalimin në raundin e dytë të Ligës së Konferencës pas fitoreve në dy ndeshjet ndaj Europa FC të Gjibraltarit.

Njëri nga më meritorët për kalimin tutje të klinasve, padyshim se ishte sulmuesi anësor, Iljasa Zulfiu, i cili në ndeshjen e parë në Prishtinë shënoi në shtesë golin e fitores 2-1, ndërsa dje (e enjte) në udhëtim shënoi dy gola.

Lexo po ashtu Dukagjini fiton ndeshjen e shumë golave dhe kartonëve të kuq – siguron kualifikimin në raundin e dytë të Ligës së Konferencës

Pas fitores dhe kalimit në raundin e dytë, Zulfiu ka treguar se ndihet shumë i kënaqur pasi po bëjnë histori me klubin nga Klina, klub ku është pritur shumë mirë nga të gjithë dhe po kalon momente të mira.

“Jemi shumë të kënaqur si unë gjithashtu edhe ekipi sepse ishte kalim historik për klubin e Dukagjinit”, ka thënë fillimisht Zulfiu për Telegrafin.

“Kam bërë tash 1 vit dhe ndjehem shumë mirë, pasi kam gjetur një ambient shumë të mirë, si me pjesëtarët e klubit, si me bashkëlojtarët”.

Të gjithë duke festuar me golin e fitores të shënuar nga Iljasa Zulfiu (Foto: KF Dukagjini/Facebook)

Tutje, “Caja” ka folur edhe për kundërshtarin e ardhshëm të Dukagjinit, gjigantin kroat, Rijekën, të cilin e vlerëson shumë, por thotë se do të hyjnë për rezultat pozitiv.

“Shpresoj që me Rijekën të marrim një rezultat pozitiv edhe pse e dimë që Rijeka ka kualitet. Por, në futboll gjithçka është e mundur dhe ne si ekip kemi me dhënë maksimumin”.

Në fund, 25-vjeçari nga Miratoca e Preshevës ka folur edhe për ëndrrën e madhe për të luajtur te ndonjë klub evropian.

Iljasa Zulfiu, ylli i momentit te Dukagjini (Foto: KF Dukagjini/Facebook)

“Edhe unë si çdo lojtar kam ëndërr me dalë në Evropë me luajt me ndonjë klub evropian”.

“Shpresoj që një ditë Zoti të ma plotësoj dëshirën. Por, jo vetëm mua, po çdo njërit”, përfundoi ylli i Dukagjinit.

Ndryshe, Dukagjini ndeshjen e radhës në raundin e dytë të Ligës së Konferencës do ta zhvillojë më datë 27 korrik nga ora 19:00 në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, ndërsa atë kthyese më 3 gusht nga ora 20:15. /Telegrafi/

Exit mobile version