Sot në mëngjes u raportua se një 70 vjeçare nga Korisha e Prizrenit ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive derisa po trajtohej për coronavirus.
Familjarët e së ndjerës thonë se 70 vjeçarja ka pasur edhe sëmundje tjera por simptoma të COVID-19 nuk ka pasur asnjëherë.
“Burim të saktë të infektimit nuk kemi dhe ende nuk po dihet se nga u infektua. Nëna nuk ka pasur shenja të COVID-19 por vetëm plogështi. Në emergjencën e Prizrenit është kontrolluar tri herë por nuk kanë mundur t’i gjejnë zgjidhje. Vetëm infuzione i kanë dhënë. E kemi sjellë në Prishtinë derisa është konfirmuar me COVID-19” , shprehet familjari i së ndjerës, përcjell Telegrafi.
Familjarët madje kanë dyshime nëse e moshuara kishte pasur COVID-19.
“Ne po dyshojmë se mund të ketë pasur diçka tjetër, por pasi familjarët vendosën për të mos i bërë obduksion e tërhoqëm trupin”.
Sipas rrëfimit të mëtejshëm të familjarit, e ndjera kishte ardhur në Infektivë por u kanë thënë se nuk ka ndonjë simptomë dhe të njëjtën e kanë udhëzuar të shtrohet në Pulmologji.
“E kemi dërguar në Pulmologji, pastaj e kemi kthyer në Prizren. Kur kemi ardhur përsëri në Klinikën Infektive është konfirmuar që ka COVID-19. Nuk ka pasur ethe e as temperaturë, thjeshtë vetëm plogështi asgjë më shumë”.
Familjari tregon se 25 anëtarët tjerë janë testuar dhe të gjithë kanë dalë negativ.
“Desha të kërkojë nga Ministria e Shëndetësisë që të marrin masa më të mëdha, pasi që nëse gjyshja ime do të ekzaminohej më herët ndoshta sot do të ishte gjallë”, shprehet nipi i së ndjerës nga Prizreni./Telegrafi/