Telegrafi

Flet Edona nga Gjakova, që e përjetoi sulmin e Munihut: Plumbat na kaluan mbi kokë

Sulmit që ndodhi në një qendër tregtare në Munih të Gjermanisë, i shpëtoi kosovarja 19-vjeçare nga Gjakova, Edona Rragomi.

Në një rrëfim ekskluziv për klankosova.tv, ajo ka treguar për tmerrin që e ka përjetuar në momentin kur janë dëgjuar të shtënat.

“Kam qenë në McDonald’s kur i kam dëgjuar të shtënat. Isha me vajzën e dajë. Pasi I kemi dëgjuar të shtënat e mëdha, kemi vrapuar për ta gjetur daljen. Plumbat na kaluan mbi kokë”, ka treguar Edona. “Vrapuam pa shikuar prapa. Jashtë kemi parë një dyqan ku shiten pemë. Aty ndaluam për t’u fshehur nga plumbat”.

Lexo po ashtu Gjithçka rreth sulmit në Munih

19-vjeçarja ka treguar më tej se ka parë një numër të madh të njerëzve të cilët ishin në panik, e fëmijët po ashtu.

“Dëgjuam shumë zëra, bërtima”, shton ajo.

Pasi që Edona, së bashku me vajzën e dajës së saj, Kujtesa Halilaj, iu shpëtuan plumbave, kishin dalë në rrugë për të kërkuar ndihmë.

“Kemi dalë në rrugë mos po ndalet ndonjë makinë. Atëherë kemi parë autobusin, i cili nuk e hapte derën në fillim. E kemi lutur shumë”, ka thënë Edona. “U futëm në autobus. Jashtë pamë njerëz të vrarë në tokë. Ne jemi shtrirë në autobus për shkak të frikës”.

Pas gjithë kësaj, Edona së bashku me vajzën e dajës kanë arritur deri tek shtëpia e Kujtesës, ku tani të dy vajzat janë të sigurta.

Edona është në Gjermani tash e një javë, pasi kishte shkuar atje për të punuar tek një biznesi të cilin e zotëron daja i saj. Atje do të qëndrojë deri në shtator. /klankosova.tv/