Telegrafi

Flet Don Isidor Lukiqi: Jam human, më quajnë prind, e në foto është sjellja normale e një prindi! (Video)

Drejtorit të Qendrës Social-Edukative “Don Bosko” në Prishtinë, Don Izidor Lukiq, gjatë ditës së djeshme i janë publikuar disa fotografi ku shihet si shumë i “afërt” me nxënëset e kësaj shkolle. Në një rrëfim për Zërin, ai ka thënë se e gjithë kjo është bërë për ta njollosur emrin, dinjitetin e tij dhe të shkollës që ai e udhëheq. Megjithatë, nuk e ka mohuar vërtetësinë e fotografive.

“Fotografitë JANË bërë para tetë viteve, ku janë të pranishëm edhe të tjerët. Të gjitha fotografitë janë publike”, thotë prifti, duke shtuar se tek këto fotografi kanë qasje nxënësit edhe stafi. “Këto janë shpifje e shantazhe për të njollosur dinjitetin tim, emrin tim dhe shkollën ‘Don Bosko’”!

Sipas tij, fotografitë nuk përputhen me lajmet e publikuara.

“Mua më quajnë edhe prind – prind i dytë”, shton Lukiqi për Zërin.

I pyetur se a është normale një afërsi e tillë me nxënëset, ai ka thënë se kjo është “një sjellje normale e një prindi”.

“Këtë mund ta vërtetoni edhe me çdo nxënës. Në ‘Don Bosko’ janë 850 nxënës dhe janë 75 punëtorë të cilët mund t’i intervistoni nëse ka diçka. Njihem si njeri human edhe nga prindërit. Ata janë shumë mirënjohës se e dinë i kanë sjell fëmijët e tyre”, thotë ai.

Lukiqi ka thënë se i është drejtuar autoriteteve kompetente pasi nuk dëshiron që të njolloset emri i tij dhe i shkollës. Ndërsa, në pyetjen nëse për të njëjtën gjë para disa viteve ishte shkarkuar nga detyra dhe më pas ishte kthyer përsëri në detyrë, thotë se “kjo nuk është aspak e vërtetë”, meqë shprehet se ka qëndruar një vit në Shkodër.

“Kanë pasur nevojë për mua dhe më kanë kthyer që të vazhdoj projektin. Sepse, nga fillimi jam themelues dhe ndërtues i qendrës ‘Don Bosko’”, ka thënë ai. /Zeri/